Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Italisë, paratë e dërguara nga Italia drejt Shqipërisë përmes kanaleve zyrtar të pagesave në vitin 2016 janë rreth 124 milionë euro kundrejt 129 milionë eurove në vitin 2015.
Kjo e dhënë e vitit 2016 përfaqëson rreth 1,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Por për të pasur një përfaqësim ekonomik më real duhet të shtojnë edhe të gjitha paratë e dërguara në Shqipëri në kesh, të cilat nuk mund të detektohen në mënyrë shkencore.
Fluksi i parave vjen kryesisht nga zona e Lombardisë me rreth 27 milionë euro, e barabartë me 21, 4 përqind të vlerës së përgjithshme. Më pas renditet zona e Emilia Romana me rreth 15, 21 milionë euro e barabartë me 12, 3 për qind të vlerës së përgjithshme. E më pas vjen Toscana me 15 milionë euro, Piemonte me 12 milionë euro, dhe në fund Lazio dhe Veneto me rreth 9 milionë.
Qyteti me vlerat më të mëdha të parave të dërguara është Milano, e ndjekur nga Roma, Firenze, Torino, Brescia dhe Perugia.