Donald Lu nuk ka asnjë të drejtë dhe kompetencë të bëjë interpretime ligjore

Donald Lu nuk ka asnjë të drejtë dhe kompetencë të bëjë interpretime ligjore

Sa më shumë afrohet fundi i mandatit të Donald Lu si ambasador në Tiranë, aq më hapur duket se ai po sillet si një instrument i qeverisë Rama.

Pa asnjë arsye të qartë apo nevojë, Ambasada e SHBA-ve postoi pak ditë më parë deklaratën e mëposhtme në faqen e saj në Facebook:

Sigurisht që Kryeministri e kapi menjëherë rastin (në mos çdo gjë ishte koordinuar paraprakisht) dhe postoi:

Përkthimi shqip-shqip i SHBA rrëzon përsëri leximin shqip-shqup të Kushtetutës për drejtësinë. Shumë keqardhje dhe pak shpresë për reflektim.

Por deklarata e Ambasadës së SHBA-ve sigurisht që nuk thotë asgjë, duke qënë se ajo nuk përmban ndonjë argument, veç retorikës boshe. Shumë emocione, por pak arsyetim.

Prandaj po i lejojmë vetes t’i sqarojmë edhe një herë ambasadorit dhe klasës së tij të juristëve se çfarë thotë Kushtetuta dhe Ligji i Prokurorisë (Nr. 97/2016), i cili mund të verifikohet nga çdokush që mund të lexojë:

  • Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (neni 148/c(2) i Kushtetutës);
  • Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (nenet 6/1 dhe 148/a(1) të Kushtetutës);
  • Përpara se të zgjidhet, Prokurori i Përgjithshëm duhet ti nënshtrohet vetingut (neni 148/ç(1) i Kushtetutës);
  • Parlamenti zgjedh një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm vetëm nëse mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe (mandati i Prokurorit të Përgjithshëm të mëparshëm, Adriatik Llala nuk përfundoi në mënyrë të parakohshme) dhe kjo ndodh para se të jetë formuar KLP (Neni 109(2) i Ligji 97/2016).

Të katërta këto nene të Kushtetutës dhe Ligjit të Prokurorisë u shkelën gjatë zgjedhjes së Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Më pas, sapo u emërua në mënyrë të paligjshme, ajo dhunoi një sërë ligjesh të tjera, përfshi Ligjin 96/2016 Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë:

  • KLP-ja emëron, transferon ose pushon nga puna prokurorët (Kushtetuta, neni 149/a(1)(a);
  • Deri në formimin e KLP-së Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të emërojë, transferojë ose të pushojë nga puna prokurorët (Ligji 96/2016, neni 160(2)).

Pra, vërtet, ashtu sikurse thotë Ambasadori Lu “Kushtetuta dhe Ligji i Prokurorisë janë shumë të qarta”: si zgjedhja e Arta Markut Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, ashtu edhe veprimet e saj në detyrë janë tërësisht të paligjshme.

Por, prapë, ai arrin, ndoshta nga arroganca e paturpshme që Zotit Lu duket se i buron nga pozicioni i tij i pazgjedhur, të mbrojë një opinion ligjor të shkruar nga një kontraktor privat në vend të gjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Le të shohim kushtet e nevojshme që duhet të plotësojë dikush për t’u bërë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për të dhënë gjykime mbi Kushtetutën: 15 vjet përvojë ligjore, 10 vjet i papërfshirë në politikë, diplomë të juridikut.

Sipas Kushtetutës, gjyqtarët kushtetues kanë mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi, dhe është puna e tyre—e paguar nga qytetarët shqiptarë, jo nga qeveria e BE-së apo e SHBA-ve—të zgjidhin çështje që i përkasin Kushtetutës, siç është zgjedhja e debatueshme e Prokurorit të Përgjithshëm në mes të një vakumi ligjor dhe procedurial.

Ata ekspertë ligjor anonimë që hartuan dokumentin ligjor të OPDAT/EURALIUS as nuk i mbrojnë dhe as nuk i debatojnë në publik meritat e opinionit të tyre. Ata nuk janë zgjedhur apo emëruar nga 3/5 e deputetëve, dhe madje nuk janë as të kualifikuar për të shkruar opinione për këto çështje. Nëse ambasadori është kaq i sigurt në opinionin e tyre, le t’i nxjerrë juristët e tij ta mbrojnë në publik opnionin e tyre!

Për ligjin shqiptar, opinion i OPDAT/EURALIUS, praktikisht, e ka vlerën zero. Ai nuk mund të referohet asnjëherë në gjykatë. Ai nuk mund të përdoret asnjëherë për të justifikuar një ligj. Ai nuk do të jetë kurrë pjesë as edhe e një dokumenti të vetëm të jurisprudencës. Ai është, nga pikëpamja e çdo standardi ligjor, një copë letre e parëndësishme e përdorur nga qeveria Rama si një gjethe e madhe fiku për të mbuluar turpin që fshihet pas saj: kapjen e shtetit.

Mentaliteti i Ambasadorit Lu se “qëllimi justifikon mjetin” nuk ka fare lidhje me demokracinë apo shtetin e të drejtës. Ky mentalitet nuk të çon askund tjetër veçse në korrupsion dhe autokraci.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>