Përpara se të magjepste Evropën me talentin e tij, Diego Armando Maradona dhuronte spektakël në Amerikën e Jugut.
Ishte viti 1980, kur Maradona luante për Argentinos Juniors, një nga 5 klubet e Buenos Airesit në Argjentinë. Edhe pse vetëm 20-vjeçar, ai kishte tërhequr gjithë vëmendjen për shkathtësinë, fiksimin për të dredhuar kundërshtarët dhe serinë prej afro 100 golash të realizuar.
“Të kishe Maradonën në skuadër ishte sikur të kesh në dorë 4 asa në një lojë pokeri”
– Carlos Kenny, ish-ndihmëstrajner i Argentinos Jr.
Spektakli më i paharrueshëm për futbollin argjentinas do të shijohej më 9 nëntor 1980 në derbin e kryeqytetit Argentinos Juniors – Boca Juniors.
Maradona ishte tejmase i acaruar nga një intervistë e portierit të Bocas, Hugo Orlando Gatti, njohur me nofkën El Loco (I Çmenduri). I çmenduri kishte bërë gabimin më të madh. Kishte ofenduar Maradonën duke e etiketuar trashaluq.
“Diego është lojtar i mirë, por më shqetëson fiziku që ka, pas disa vitesh mund të përfundojë të bëhet trashaluq”
– Hugo Gatti
Pasi kishte lexuar intervistën në gazetë, Maradona i thotë menaxherit të tij Jorge Cyterszpiler:
“Ja rregulloj unë këtij [Gattit], do t’i fus 4 gola, mbaje mend”
– Maradona
Zotimi kthehet në profeci, hakmarrje, përtallje dhe histori. Goli i parë… penallti e fituar pas një finte tip “rabona”, minuta e 21-të. Maradona shkelmon fort në të majtë, Gatti hidhet në krahun tjetër.
Goli i dytë… goditje dënimi, minuta e 42-të. Maradona godet befasisht një goditje dënimi që ishte pranë këndores. Topi shkon pranë shtyllës së dytë, Gatti mbetet i shtangur duke e parë.
Goli i tretë… në pjesën e dytë. Maradona në hyrje të zonës përballë Gattit godet me teknikë dhe e detyron El Locon ta nxjerrë sërish topin nga rrjeta.
Goli i katërt… goditje dënimi, minuta e 75-të. Maradona lëshon një gjuajtje të fuqishme duke çarë murin mbrojtës e duke vulosur të katërtin ndaj Gattit.
Ndeshja Argentinos – Boca mbyllet 5-3. Tifozët nuk reshtin së brohorituri emrin e tij. Katër golat u pagezuan si “El Gordito” ndërsa Maradona u flet gazetarëve:
“Iu përgjigja Gattit në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Për ironi të fatit, një vit më vonë, Diego dhe Hugo bëhen shokë skuadre. Për të shlyer borxhet, klubi i Argentinos ia lëshon shërbimet e tij Bocas. Stadiumi Bombonera kthehet shtëpi e dytë për Maradonën përpara se ai të transferohej më pas në Evropë ku do të luante për Barcelonën dhe Napolin përpara se të pikasej dhe dënohej për përdorim droge.
Në atë stadium rreth 20 vite më vonë, ai emocionoi sërish tifozët kur mbylli karrierën si futbollist.
“Futbolli është sporti më i shëndetshëm në botë, nëse dikush gabon, nuk duhet të paguajë futbolli. Unë gabova dhe pagova, por… topi nuk bëhet pis.”
– Maradona
Përkthyer dhe përshtatur nga La Repubblica.