Katër kandidatë po garojnë për kryeministrin e ri të Kosovës, teksa fushata 10-ditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nisi të mërkurën.
Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për shkak të një dënimi të gjykatës. Por Kurti mbetet kandidati i LVV-së për kryeministër.
Kurti mori 183,952 vota në zgjedhjet e vitit 2019, ndërsa partia e tij siguroi 29 nga 120 vendet në parlament. Ai u zgjodh kryeministër pasi arriti të formonte koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ishte sërish LDK-ja ajo që organizoi mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti dhe e rrëzoi atë.
Kandidati për kryeministër i LDK-së është kryeministri në largim, Avdullah Hoti.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Hoti fitoi 26, 094 vota, ndërsa LDK mori 28 vende në parlament. Pas rrëzimit të qeverisë Kurti dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për moszhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, Hoti u bë kryeministër, pasi formoi koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Social Demokratike (NISMA) dhe Listë Serbe.
Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetuese Qeverinë Hoti. Në 21 dhjetor 2020, gjykata konstatoi se vota e deputetit Etem Arifi pro krijimit të Qeverisë Hoti, ka qenë e pavlefshme.
Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) propozon Enver Hoxhajn për kryeministër, pas padisë për krime lufte kundër ish-udhëheqësit të saj Kadri Veseli.
Enver Hoxhaj më parë ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme gjatë viteve 2011- 2014 dhe 2016- 2017, dhe Zëvendës Kryeministër gjatë 2017- 2019.
Ai mori 11.052 vota në zgjedhjet e 2019, ndërsa partia e tij doli e treta me 24 mandate.
Fatmir Limaj është udhëheqësi i partisë Nisma Social Demokratike (NISMA) për Kryeministrin. NISMA kishte katër vende në parlament, së bashku me partnerin e koalicionit Aleanca Kosova e Re (AKR). Vetë Limaj mori 25, 918 vota.
Para krijimit të partisë në 2014, Limaj ishte një ndër figurat kryesore në PDK, e kryesuar nga ish-Presidenti Hashim Thaçi. Ai shërbeu në qeverinë e Thaçit si Ministër i Transportit gjatë viteve 2008-2010. Ai gjithashtu shërbeu si ZëvendësKryeministër gjatë viteve 2017- 2019.
Limaj u akuzua për korrupsion, por u shpall i pafajshëm në nëntor 2017. Ai u akuzua gjithashtu për krime lufte nga disa gjykata, përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, por u lirua nga të gjitha akuzat.
Që prej vitit 1999, asnjë kryeministër në Kosovë nuk ka mundur të përfundojë një mandate të plotë 4-vjeçar.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga ku do të dalë kryeministri i ri i Kosovës do të zhvillohen në 14 Shkurt.