Katër persona u vranë të hënën në rrethinat e Lezhës dhe Durrësit. Ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra tjetrën, por ndodhën në një kohë kur këtë javë nisi dhe lehtësimi i masave kufizuese.
Kol Murrani dhe Preng Simoni të dy 60-vjeçarë u gjetën të vrarë me armë zjarri në Lalm të Vjetër – fshat i thellë në Lezhë – mesditën e së hënës.
Murrani njihej si rapsod dhe në vendin e ngjarjes kishte vajtur bashkë me Simonin.
Pasdite, në tregun e makinave, në Shënvlash të Durrësit, u vranë pas një atentati me armë vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhiaj 35 dhe 37-vjeç.
Ata u qëlluan teksa po lëviznin me makinë. Besmir Haxhiaj ishte avokat, i sapolicencuar, ndërsa Viktor Haxhiaj njihej si sipërmarrës dhe tregtar makinash.
Prej më shumë se 1 muaji, për shkak të epidemisë së koronavirusit, qeveria ka kufizuar rreptësisht lëvizjet e qytetarëve duke vendosur gjoba për këdo që lëvizin pa leje.
Por prej së premtes është vënë re rritje e krimit pasi u shënuan një vrasje dhe dy plagosje.
Duket se me zgjerimin e orarit të lëvizjes për qytetarët, kanë rinisur dhe përplasjet e konfliktet mes tyre.