Kafshët e barabarta të Erion Veliajt

Nga Andi Bushati
Kafshët e barabarta të Erion Veliajt

Një investigim i thelluar i BIRN, nxori këtë javë në dritë një anë të errët të bashkisë së Tiranës. Në shkrimin e gazetares Lindita Çela, vihej në dukje se vetëm në një vit e gjysëm policët bashkiakë kanë vënë mbi 21 mijë gjoba ndaj tregtarëve ambulantë që shesin në trotuaret e qytetit të paliçensuar.

Secili banor i Tiranës, ka qenë së paku një herë dëshmitar i atyre skenave, kur fshatarë të zbritur nga rrethinat e kryeqytetit, vrapojnë të trembur, duke mbajtur në dorë ato pak prodhime të bahçeve të tyre, vetëm me frikën se policia mos u rrëmbejë prodhimin, me shitjen e të cilit mbajnë familjen.

BIRN i tregonte me dëshmi të dokumentuara këto skena, që janë shembulli më i mirë i forcës së pakompromis së pushtetit ndaj të dobtëve dhe më të pambrojturve. Natyrisht, media investigative jepte edhe argumentat e bashkisë, se përse është ngërthyer në këtë luftë. Dhe po t’i shikosh një e nga një, ato duken logjike. Beteja, “për rrugicat që kërkojnë diell” siç e quajti dikur këtë aksion kryebashkiaku, në pamje të parë, ngjan e shëndetshme për qytetin.

Ajo ruan dhe mbron shëndetin e konsumatorit, ajo garanton në parim konkurrencën e ndershme, (ku disa paguajnë taksa për shitjen e prodhimeve të tyre, prandaj dhe të tjerët nuk mund ta anashkalojnë këtë) ajo ruan përdorimin e hapësirave publike në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Deri këtu gjithkush do të duartrokiste.

Por, këto parime nuk janë të vlefshme për të gjithë. Nëse prioritar do të qe shëndeti i qytetarëve, ne nuk do të shikonim për shembull me dhjetra betoniera që qarkullojnë gjatë ditës në qytet dhe që e ndosin atë, në mënyrë të frikshme. Nëse, principi i konkurencës së ndershme do të zbatohej gjithmonë, bashkia nuk do të jepte leje ndërtimi në mënyrë flagrante pa konsensusin e pronarit të tokës (lexo këtu denoncimin tek Lapsi.al). Nëse prioritet do të qe ruajtja e hapësirës publike… këtu më mirë të mos japim shembuj se do të ishte qesharake që ky parim të përligjej me çlirimin e trotuarëve nga tregëtarët ambulantë.

Pra, problemi i Bashkisë së Tiranës nuk është se do të vërë rregull ndaj disave, por se i njëjti rregull sot nuk është i zbatueshëm për të gjithë njësoj.

Në Tiranën e Erion Veliajt e ke më të lehtë të ndërtosh një grataçielë në mes të qytetit, sesa të arrish të shesësh fiqtë e bahçes tënde në një cep të humbur të tij.

Dhe ky është fiks ilustrimi i frazës së famshme të George Orwell-it “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por ka kafshë më të barabarta se të tjerat”.

Ky është thelbi. Kjo po ndodh dhe me bashkinë e Tiranës, që është në fakt një zbatim i politikavve të nisura nga kryeministri i së majtës Edi Rama. I atyre politikave që po e rrokullisin vendin drejt një konfikti social: jo më mes PD dhe PS, as mes ish komunistëve dhe ish të persekutuarve, aq më pak mes partizanëve dhe ballistëve, por mes të varfërve dhe të pasurve.

Tirana e Erion Veliajt është laboratori më i dukshëm i kësaj kontradikte që ka nisur të zjejë.


Ky shkrim u publikua më parë tek Lapsi.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>