5 parime kryesore për turizëm ‘pro mjedisit’

Nga Albiona Muçoimaj
5 parime kryesore për turizëm ‘pro mjedisit’

Të punosh si guidë turistike në vënde të cilat shpesh janë jo lehtë të arritshme ka vështirsitë e veta. Ndër vështirësitë kryesore me të cilat duhet të përballesh është mentaliteti i përgjithshëm që njerëzit kanë për kujdesin ndaj natyrës.

Leave No Trace është lëvizja, e cila u nis mes viteve ‘60-’70, por që në Shqiperi nuk njihet ende. Fokusi i kësaj lëvizje është infromimi i qytetarve mbi parime të përgjithshme, të cilat ata duhet të kenë parasysh përpara se të vendosin të vizitojnë destinacione natyrore larg jetës urbane. Nëse këto parime do të merreshin parasysh e do të zbatoheshin, puna e çdo udhërrëfyesi dhe vetë vizitat e kujtdo personi në natyrë do të ishte shumë herë më e lehtë dhe zbavitëse.

  • Planifiko dhe përgatitu

Të planifikosh më përpara do të thotë të bësh gati gjërat, që do t’i kesh mëse të nevojshme për një ngjitje në mal. Udhëtimet disa ditore ose njëditore kanë specifikat e tyre dhe kërkojnë përgatitjen e përshtatshme, prandaj për ato ditë që do të qëndroni bëni një listë të thjeshtë se çfarë gjërash do t’iu duhen dhe përmbajuni asaj liste duke mos u tunduar të merrni më shumë gjëra të tjera.

  • Zgjidhni pjesë të sigurta të natyrës

Adrenalina më e bukur kur shtegton natyrën është ajo e eksploratorit. Mirëpo këshilla kryesore është se duke bërë eksploratorin nuk duhet të dëmtojmë natyrën. Duhet të kemi kujdes se ku zgjedhim të ecim. Shtigjet e pashkelura mund të jenë në zona ku ka bimë endemike dhe ne mund t’i dëmtojmë ato. Për këtë kryesisht këshillohet të ndiqen shtigjet e shenjuara. Ndërkohë këshilla kryesore për sa i përket kampingut është që çadrat të mos ngrihen në zona ku rrezikohen rrëshqitje të tokës apo ku përreth janë vendosur fole zogjsh, apo kafshësh të cilat prezenca e njeriut mund t’i frikësojë.

  • Kujdes zjarret

Shpesh udhëtimeve në natyrë u pëlqejmë ato zjarret në muzg duke pritur natën. Eshtë e rëndomtë që kur jemi në grup dikush të marrë me vete ushqime, apo nënprodukte të mishit për t’i pjekur dhe gatuar në zjarr. Pra zjarri është qëndror në atë çka shumëkush përfytyron si kryesore në një kamping në natyrë. Mirëpo zjarri duhet të jetë rreptësisht i kontrollueshëm. Ka shumë teknika për të bërë zjarre në natyrë dhe përpara se të zgjedhim për të shkuar për kamping, është mirë që të përgatitemi edhe për këtë. Një nga teknikat e përgjithshme është rrethimi i zjarrit me gurë, ose ndezja e tij në gropë, apo pasja me vete e fikëseve të zjarrit.

  • Hedhja e mbeturinave në menyrën e duhur

Kur vjen puna te mbeturinat është problem, i cili na shoqëron ngahera dhe jo lehtë  i menaxhueshëm. Njerëzit e kanë shumë më të thejshtë t’i lënë mbeturinat aty ku u vjen t’i hedhin pa marrë parasysh se ato, jo vetëm e ndosin dhe shëmtojnë natyrën, por lënë një ambjent aspak të hijshëm për ata të tjerët që mund të vijnë më pas për të shijuar. Pra përpara se të hedhësh diçka në tokë, mendo se si do doje ti ta shihje natyrën: të pastër.

  • Lërini gjërat si i gjetët, minimizo ndikimin

Të udhëtosh në një vend me synimin për të marrë përvojën e natyrës së egër do të thotë që kurrësesi udhëtimi yt të mos e tjetërsojë këtë natyrë. Çdo vizitë e jona nuk duhet të lërë gjurmë. Përfytyro se në shtegun që ne do të ndërmarrim kalojnë shumë shumë pak njerëz dhe ajo pasojë që mund t’i shkaktojmë natyrës zor se mund kthehet. Prandaj ndër këshillat më kryesore të Leave No Trace është që pas kampingjeve, shtegtimeve, apo vizitave të rëndomta në natyrë, mal, lum, liqen, shpella, pyje etj, “të fshijmë” gjërat që lëmë pas. Shembulli kryesor është hiri dhe gurët e zjarrit. Shpesh udhëtarët e ndërgjegjshëm për natyrën i rishpërndajnë gurët dhe madje pastrojnë edhe hirin e atij zjarri me të cilën u ngrohën natën.

Këto 5 parime të përgjithshme janë ato që mungojnë shumë në edukatën e vizitorëve shqiptarë, të cilët kryesisht bëjnë kamping zhurmshëm, duke ndotur natyrën dhe duke lënë pas shumë gjurmë nga shkeljet e tyre anë e mbanë vendit.

Eshtë e lehtë ta shohësh këtë, jo shumë larg Tiranës. Të mjafton një vizitë në ujëvarën e Shëngjinit, në kanionet e Erzenit, shpellën e Pëllumbasit, shtigjeve në Parkun e Dajtit, apo drejt malit të Gamtit për të parë mbeturina ushqimesh, pijesh dhe zjarresh nga zgarat e përdorura për kamping kuturu.

Kjo gjë duhet të ndryshojë rrënjësisht, pasi nëse vazhdohet kështu shumë shpejt do të kemi turp për t’ua treguar njerëzve të tjerë këto destinacione turistike, të cilat nëse ruhen mund të na shërbejnë shumë më shumë nga ç’na shërbejnë tani.


*Albiona Muçoimaj është guidë profesioniste prej së paku 4 vitesh.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>