5 vende që u bënë të famshëm nga serialet më të ndjekur

5 vende që u bënë të famshëm nga serialet më të ndjekur

Sa shpesh ju ka ndodhur që pasi shihni një film apo serial, të jeni kurioz për të vizituar vendet e treguara në film?

Besojeni ose jo, por filma e seriale të famshme, përveç se kanë tërhequr miliona shikues, kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe në rritjen e numrit të turistëve në vende të caktuara.

Më poshtë Exit News sjell 5 vende që janë bërë destinacione të preferuara turistësh pasi në to janë xhiruar skena të famshme filmash.

Dubrovniku në Kroaci

Qyteti bregdetar i Dubrovnikut u bë shumë i famshëm në gjithë botën falë serialit të shumëndjekur Game of Thrones. Në pjesën e qytetit të vjetër të Dubrovnikut ishte vendosur King’s Landing, kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Seven Kingdoms, botës ku zhvillohet i gjithë seriali.

Në Dubrovnik janë filmuar disa nga skenat dhe betejat më të rëndësishme të gjithë serialit. Një tur i dedikuar vetëm për pjesët e qytetit ku janë filmuar skena të Game of Thrones është tashmë një ndër gjërat që çdo turist duhet të bëjë në Dubrovnik.

Irlanda e Veriut

Edhe këtu seriali që rriti ndjeshëm interesin e turistëve është Game of Thrones. Irlanda ka shërbyer si sfond për shumë nga vendet e Seven Kingdoms, si Winterfell apo Dorne.

Në vitin 2014, pas përfundimt të katër sezoneve të para të serialit, përfitimi në ekonominë e Irlandës së Veriut vetëm nga turizmi i ndikuar nga Game of Thrones ishte rreth 110 milionë dollar. Më pas, një raport i 2018-s gjeti se të ardhurat nga ky serial arrijnë çdo vit në rreth 40 milionë dollar.

Birminghami në Mbretërinë e Bashkuar

Një ndër serialet më të famshëm të 2019-s, Peaky Blinders ka ndikuar shumë në rritjen e turistëve në Birmingham.

Ky serial, i cili aktualisht transmetohet në Netflix, mund të shihet në 183 shtete. Falë kësaj shpërndarjeje, numri i turistëve në Birmingham, në vitin 2018 arriti në 42,8 milionë vizitorë, sipas Lonely Planet.

Ngjashëm si në Dubrovnik, edhe agjencitë turistike në Birmingham ofrojnë ture nëpër vendet e shfaqura në serial për fansat e zjarrtë.

Islanda

Në Islandë është xhiruar një pjesë e mirë e sezonit të pestë të serialit të famshëm Vikings. Pas shumë kohësh lundrim, vikingu Flóki, një ndër personazhet kryesore në serial, zbulon Islandë.

Në kohën e vikingëve (në jetën reale, si dhe në serial), Islanda ishte një ishull i pabanuar me fenomene natyrore spektakolare që njerëzit nuk i kishin parë më parë. Për shembull, ujëvara mbresëlënëse Skógafoss në bregun jugor të Islandës e shumë bukuri të tjera natyrore, bëjnë që Flóki ta quajë Islandën “tokën e perëndive”.

Sot miliona njerëz vizitojnë Islandën dhe ndalen në ujëvarën Skógafoss vetëm falë serialit.

Në disa prej qyteteve, ofrohen dhe eksperienca të veçanta njësoj siç bënin vikingët si banja në ujërat termalë apo ture të veçanta që i endin turistët në të njëjtën trajektore që ndoqi Flóki gjatë zbulimit të Islandës.

Çernobil

Ky ndoshta është destinacioni më i çuditshëm dhe më surprizuesi për tu kthyer në të preferuarin e turistëve: qyteti i Çernobilit dhe qyteza Pripyat në Ukrainë, ku në vitin 1986 ndodhi shpërthimi i centralit bërthamor të Çernobilit.

I njohur si ndër katastrofat më të rënda të njerëzimit, ngjarjet e ndodhura në Çernobil, që nga shpërthimi i centralit dhe gjithë mekanizmat e pushtetit të asaj kohe për të fshehur çka kishte ndodhur dhe pasojat e tmerrshme të saj, u kthyen në një miniserial në vitin 2019.

Edhe pse në të pesta seritë e serialit sqarohet me hollësi dëmet që solli ky shpërthim në jetën e gjithë zonës dhe e bëri të pajetushëm Çernobilin dhe Pripyatin (dhe parashikohet të jenë të pajetueshëm për 20 mijë vitet e ardhshme falë radioaktivitetit shumë të lartë),  turizmi në këto zona u rrit ndjeshëm në vitin 2019.

Aq shumë turistë dhe influencers filluan të postonin foto nga vizitat në Çernobil në rrjetet sociale, sa producenti dhe skenaristi i serialit Craig Mazin i bëri thirrje publike njerëzve që të informohen mirë përpara se të vizitojnë vende të tilla që përbëjnë rrezik për shëndetin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>