Megjithë miratimin e një masterplani të ri për Tiranën hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, i cili u miratua më 4 prill nga Këshilli Kombëtar i Territorit, duket se kryetari Erion Veliaj do të vazhdojë zbatimin e të ashtuquajturit “Plani francez”, masterplani i parë i Tiranës i hartuar në periudhën e ish-Kryebashkiakut Edi Rama.
Në një rrëfim për Blendi Salajn, tek Peshku pa ujë, arkitekti i studios 51N4E Johan Anrys konfirmoi se disa kulla do të ndërtohen rreth sheshit Skënderbej.
“Johan Anrys i firmës 51N4E është gjithashtu njëri ndër autorët e kullës TID që njihet ndryshe si Hotel Plaza. Kulla TID i dha famë firmës së vogël belge, ishte puna e tyre e parë e madhe. Tani ata do të projektojnë edhe një kullë pas Sahatit, në një zonë deri tani të lënë pa shfrytëzuar. Anrys ka vetëm një peng: kulla e re do të mbulojë pjesërisht kullën TID, hotel Plazën, për ata që e shohin nga sheshi. Por do të mbulojë plotësisht Torre Drinin, që është gjë e mirë. Kjo pas Sahatit nuk do të jetë e vetmja kullë e re. I gjithë sheshi do të rrethohet me kulla. Njëra menjëherë pas Hotel Tiranës, do ta bëjë këtë të duket i vogël. Një tjetër do të ngrihet “tek reklamat” midis Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Bulevardi i ri dhe Tirana Policentrike po vijnë, por edhe Sheshi Skënderbej po bëhet blind me kulla të larta. Në 100 metra ecje mund të shkosh nga xhamia otomane tek arkitektura fashiste dhe ajo socialiste, e gjitha nën vështrimin e qiellgërvishtëve modern.”
Intervista e Blendi Salaj njofton kështu tre kulla të reja: njëra pas Hotel Tirana International, një në mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës dhe një pas Sahatit. Asgjë nuk është bërë zyrtarisht publike për këto projekte, as nuk është e qartë nëse Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndonjë nga këto projekte pasi këshilli – në kundërshtim me ligjin – nuk ka publikuar asnjë vendim në faqen e saj të internetit që nga 14 prilli.
Kulla prapa Hotel Tiranës është miratuar mesa duket më 14 prill nga KKT-ja, megjithëse në faqen e saj zyrtare vendimi nuk është askund. Kulla do të jetë 111 metra e gjatë dhe sipas renderit, në ngjyrë të artë/ të verdhë.
Sipas dokumentave të siguruara nga Gazeta Shqiptare aplikimi për leje ndërtimi është bërë nga Alban Efthimi, pronar i studios Atelie 4, studioja kryesore me të cilën punon Kryeministri Rama dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër.
Kulla në mes Rrugës së Kavajës dhe Durrësit quhet “Sytë e Tiranës” dhe është rezultat i një konkursi arkitekturor të bërë në vitin 2003, ku fitues u shpall kompania danezë Arkitektët Henning Karsen.
Sipas projektit, ndërtesa do të ketë:
“Banesa, zyra dhe dyqane që arrijnë në 55 mijë metra katrorë në një kullë 26 katëshe. E vendosur në qender të qytetit, ndërtesa do të jetë rezultati i parë i dukshëm i një masterplani ambicioz për Tiranën.”
Masterplani ambicioz është Plani Francez, për të cilin do të flasim më poshtë.
Kulla Sytë e Tiranës do të ndërtohet nga Edil Al-It, që parashikohet të fillojë punimet në vitin 2018. Edil Al-It, në pronësi të vëllezërve Dulaku, miq të afërt të kryeministrit Rama, kanë fituar kohët e fundit dhe rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Vëllezërit Dulaku janë dhe pronarë të Televizionit Vizion Plus.
Kompania Edil Al-It ka ngritur një padi ndaj gazetarit e regjisorit Artan Rama, kontribuues i Exit.al, që kohët e fundit fitoi dhe një çmim nga Bashkimi Evropian për investigimet e tij.
Për kullën e tretë, atë pas Sahatit, nuk dihet asgjë. Ajo sipërfaqe ka mbetur e pashfrytëzuar për vite më radhë, ndoshta dhe për shkak të çështjeve të pronësisë. Blloku i apartamenteve pranë tij është me rëndësi të veçantë arkitektonike pasi është e para “ndërtesë e lartë” e ndërtuar nga italianët në Tiranë. Për shumë kohë ajo ishte ndërtesa më e lartë në qytet.
Plani francez
Plani francez është rezultat i konkursit të parë për masterplanin e Tiranës të zhvilluar nga ish-Kryebashkiaku Edi Rama në vitin 2003. Juria përbëhej nga ish-Kryeministri Fatos Nano, në postin e kryetarit dhe anëtarët: Edi Rama, Helmut Schroeder, Jean-Michel Guénod, Mario Pisani, Rudy Stroink, Olafur Eliasson, Lothar Greulich dhe Elia Zenghelis.
Konkursi përfshinte projekte arkitekturore të studios Bolles + Wilson dhe Mecanoo. Fitues u shpall Bolles+Wilson. Projekti fitues, i pagëzuar më vonë me emrin “Plani francez”, përmbante element të tillë si:
- Sheshi Skenderbej: Për sheshin u zhvillua një konkurs i veçantë, i cili u fitua nga studio 51N4E dhe Anri Sala. Plani u zbatua pjesërisht me fonde të Kuvajtit, por u braktis në vitin 2011 kur Lulzim Basha u bë Kryetari i ri i Bashkisë Tiranë. Në vitin 2016 Erion Veliaj u zotua se do të zbatonte projektin original, përfshirë edhe shtimin e hapësirave për parqe. Rishtazi, sheshi u rihap, me një parking nëntokësor të paplanifikuar në projektin fillestar.
- Sheshi Nënë Tereza: Asnjë projekt nuk u zhvillua për sheshin, i cili u restaurua me nxitim për vizitën e Papa Franceskut në Tiranë në shtator të vitit 2014.
- 10 kulla: Vetëm dy nga 10 kullat e projektuara nëpër Tiranë janë realizuar. Kulla TID e projektuar nga 51N4E u hap në vitin 2016. Ndërsa kulla 4EverGreen nga Archea Architetti është e falimentuar. Kulla Sytë e Tiranës ishte pjesë e planit origjinal me 10 kulla, po ashtu kulla pas Hotel Tirana International dhe kulla pas Sahatit dukeshin në renderat e projektit arkitekturor.
- Parking nëntokësor: Parkingu nën Sheshin Skendërbej ishte një shtojcë e minutës së fundit e vendosur nga Edi Rama. Parking nëntokësor është planifikuar edhe në lulishten e Parkut Rinia. Parkingu nëntokësor është një aspekt integral i Masterplanit të Tiranës 2016 nga Stefano Boeri.
- Muzeu i Harmonisë Fetare: Konkursi u zhvillua në vitin 2011 me emrin “Një xhami për të gjithë”. Projekti përfshinte ndërtimin e një muzeumi për Harmoninë Fetare. Por deri më tani nuk është realizuar. Ideja u rikthye në vitin 2015 me projektin “Parku i Besimit”, i cili u përfshi në Masterplanin e Tiranës nën emrin “Parku i Botës”.
- Stacioni i Trenit: Rindërtimi i stacionit të trenit dhe sheshit përpara tij nuk u realizua asnjëherë. Në vitin 2012, Grimshaw Architects dhe DAR Group fituan konkursin e zhvilluar në 2012-ën nga kryebashkiaku Basha për Masterplanin e Qendrës së Tiranës. Projekti i tyre parashikonte zgjatimin e bulevardit kryesor deri tek lumi Tirana. Ky projek u përfshi në Masterplanin e Boerit në vitin 2016. Stacioni i trenit dhe infrastruktura rrethuese u shkatërruan. Deri më tani nuk ka asnjë lajm zyrtar se kur do të mund të rihapet stacioni i ri i trenit.
- Unaza e re: Unaza e re, e përfshirë me probleme të shpronësimit, nuk u përfundua asnjëherë. Sidoqoftë, punët për përfundimin e saj kanë nisur në vitin 2016 nën drejtim e kryebashkiakut Veliaj.
Kush është studio 51N4E?
51N4E është një studio arkitekture belge. Kjo studio pak kohë më parë u përfshi në skandalin e tenderave korruptiv me qeverinë shqiptare. Si pasojë e këtij skandali ortaku i firmës, arkitekti Peter Swinnen u detyrua të dorëhiqej nga posti i arkitektit shtetëror të vendeve flamande.
Swinnen është ende përfaqësuesi ligjor i degës shqiptare të studios 51N4E. Studioja belge ka qenë pjesë e gati të gjithë nismave të rilindjes urbane të Edi Ramës që kur ai u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.
51N4E është përfshirë në projekte të njohura dhe të panjoura në Shqipëri. Disa nga projektet e tyre janë: varri i ish-pronarit të televizonit Top Channel Dritan Hoxha; rindërtimin e sheshit Skënderbej në bashkëpunim me Anri Salën; Kulla TID; Qendra për Hapje dhe Dialog brenda godinës së Kryeministrisë; monumentin për viktimat e 21 janarit dhe vila private e Kryeministrit Rama në Surrel.
Johan Anrys dhe kolegu i tij Freek Persyn kanë qënë gjithashtu anëtarë jurie në shumë nga konkurset e arkitekturës të organizuara nga Edi Rama, si kur ky i fundit ka qenë kryebashkiak, ashtu edhe tani si kryeministër.