Dashuria për ushqimin është trashëguar në familjen e Dhurata Thanasit për gjenerata me radhë dhe ajo tani është një figurë e njohur, e dashur dhe e respektuar në skenën e ushqimit në Shqipëri. Dhurata është një sipërmarrëse, avokate e ushqimit vendas, nismëtare e Revolucionit të Ushqimit, nënë, edukatore, blogere dhe pronare e restorantit ‘Luga e Argjendtë’. Ajo është diplomuar fillimisht për Letërsi dhe Gazetari, më pas ka kryer studimet master në Administratën Publike dhe Politikë, dhe së fundmi është diplomuar si inxhiniere agro-mjedisore.
Disa nga pjesët kryesore të rrëfimit të Dhurata Thanasit janë:
“Kam studiuar letërsi dhe gazetari në Tiranë para se të punoja për një vit si redaktore. Më pas nisa punë me Kombet e Bashkuara, ku punova për gjashtë vjet, kohë gjatë së cilës u njoha me burrin tim italian.
Për shkak të punës së tij, ne udhëtuam shumë, duke jetuar në vendet ku ai u emërua si Serbi, Maqedoni, Bosnje, Kosovë dhe Belgjikë. Unë e ndoqa atë dhe arrita të punoj në secilin vend derisa një vit më ofruan një punë si oficere teknike në Organizatën Botërore të Shëndetit në Romë.
Në këtë kohë, burrit tim i ishte dhënë një punë në Maqedoni dhe unë mora vendimin që të mos e merrja punën time dhe ta ndiqja atë atje – për hir të dashurisë!
Më pas jetuam në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2011, burrin tim e emëruan më në fund në Tiranë.
Kur mbërritëm në Tiranë, unë nisa të punoja në një organizatë që punonte në sektorin e mjedisit rurale. Isha përgjegjëse për të lidhur fermerët dhe produktet e tyre, me tregun në qytetete. Lëvizja gjithë kohës në këto vende rurale që askush nuk i dinte ose nuk interesohej dhe kuptova se sa bukuri kishte në këtë vend. Ne udhëtojmë botën dhe vizitojmë gjithë këto vende të mrekullueshme, por kur kthehemi në vendin tonë, e kuptojmë se nuk e njohim fare.
Gjithmonë e kam pasur pasion ushqimin dhe ndërsa po hulumtoja këto fshatra të largëta- në Dibër, në zonën përreth Shkodrës, Korcës, Peshkopisë – gjeta gjitha ato produkte të rralla që askush në qytet nuk e dinte se ekzistonin. Për më tepër, askush nuk i vlerësonte ato.
Vizitoja vende ku banorët rrisnin çaj mali fantastik në oborret e tyre, porn ë kafene shërbenin çajra të huaj të paketuar. Në Boston, mund të paguash deri në 5 dollarë për një kavanoz me çaj të tillë, ndërsa këtu nuk ia dinte njeri vlerën.
Fillova t’i kërkoja fermerëve disa nga produketet e tyre dhe me to gatuaja në shtëpi, ftoja miqtë e mi për t’i provuar dhe fermerëve i dërgoja foto të gatimeve që përgatisja.
Më pas fillova të gatuaj receta të huaj me përbërës shqiptarë dhe miqtë më pyesnin se ku i gjeja përbërësit. Pak nga pak fermerët filluan të ndihen krenarë për produktet e tyre.
Më pas fillova të shkruaj për përbërësit dhe gatimet që përgatisja.
Në ato kohë, gazeta Shqiptarja.com sapo ishte hapur dhe më kërkuan që të shkruaja një rubrikë për ushqimin dhe përbërësit e veçantë me të cilët gatuaja.
Gjatë kësaj kohe, marrëdhënia ime me fermerët u forcua. Mendoj se fillimisht ata nuk më besonin dhe mendonin se isha e çmendur, por me kalimin e kohës, besimi u rrit.
Rubrika u bë shumë e njohur – aq sa klikohej më shumë se sa lajmet e politikës.
Më pas vendosa të hap një llogari në Instagram për shkak dhe të dashurisë time për fotografinë. Instagrami im dhe blogu ishin një sukses i madh por askush nuk e dinte fytyrën time. Më shkruanin shpesh për të më pyetur se ku gjendej restoranti im.
Kërkesa për produktet për të cilat shkruaja vetëm rritej dhe njerëzit më thonin vazhdimisht që të hapja një dyqan.
Kështu me kursimet e mia vendosa të hap një dyqan.
Ishte një sipërmarrje vajzash – me ndihmën e një studenteje designi, Pezana Rexha nga Pana filluam punën. Unë doja të ripërdornin dhe të riciklonimin gjëra të vjetra kështu morëm dhe tulla të vjetra dhe kemi bërë rafte nga tuba të vjetër hidraulikë.
Ne i shisnim këto përbërës shumë të mirë si çajra, reçelra, verë, vaj ulliri, dhe produkte të brumi si makarona dhe trahana. Nga aty fillova të organizoj takime ku flisnim dhe diskutonim për ushqimin – si mund ta mbrojmë tokën dhe si mund të hamë sezonalisht dhe mirë. Atëherë kuptova se doja t’ua përcillja këtë mesazh edhe fëmijëve.
Bisedova me drejtorët e shkollave nëse mund të shkoja të flisja me fëmijët për ushqimin.
Sigurisht, ata thanë po, kështu që unë mbushja çantat e mia me ushqime lokale dhe shkoja e flisja me fëmijët.
Kur i jepni fëmijëve zgjedhje, i lini të eksperimentojnë, i lini të luajnë, ushqimi bëhet argëtues. Ata ndalojnë së thënë “jo, unë nuk më pëlqen” dhe fillojnë ta shijojnë atë. Puna me fëmijët më dha shumë kënaqësi.
Ushqimi nuk është vetëm diçka sa për të mbushur stomakun, por është një mënyrë jetese dhe një koncept. Ne duhet ta shohim ushqimin si një mjet ndryshimi në çdo aspekt të jetës sonë, si mund ta përdorim trurin tonë për të edukuar njëri-tjetrin, si mund të riciklojmë, zvogëlojmë mbeturinat dhe të jemi të qëndrueshëm e të respektojmë natyrën.
Sfida më e madhe në këtë rrugëtim ishte largimi nga puna. Ishte një vendim i madh dhe kërkonte shumë guxim, mendim dhe reflektim.
Unë duhej t’i provoja vetes time se mundesha ta bëja këtë gjë.
Sot, shumë më quajnë një grua të suksesshme, por nuk më pëlqen ky përshkrim. Unë luftoj çdo ditë dhe vazhdimisht i them vetes “a e bëra këtë gjë drejtë apo bëra gabim?” Jam në përpjekje e përhershme për të përmirësuar veten.
Duhet të dini gjithashtu se unë nuk mund të jem e suksesshme pa fermerët dhe realiteti është se ata ende po luftojnë me problem si mungesa e fondeve dhe emigrimi masiv.”
Ky artikull u botua fillimisht në The Ballistista.
Kjo është intervista e tretë e një serie me intervista të 52 grave shqiptare.
Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.