Dr. Jonila Godole është pedagoge në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, studiuese akademike, autore, redaktore, përkthyese, një nga gazetaret e para të pavarura në Shqipëri dhe një nga gazetaret e para femra pas rënies së komunizmit. Ajo ka botuar disa libra, si dhe ka përkthyer shumë vepra të letërsisë gjermane në gjuhën shqipe.
Ajo është themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, si dhe nënkryetare e Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Godole është gjithashtu autore e shumë artikujve mbi median dhe gazetarinë në vendet post-komuniste.
Ajo ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi në Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës, më pas ka bërë një Master në Shkenca Politike dhe Sociologji në Universitetin Johann Wolfgang Goethe në Frankfurt. Më pas ajo përfundoi Doktoraturën në Studimet e Komunikimit dhe flet anglisht, gjermanisht dhe italisht. Ajo ka fituar çmime për kontributin e saj në kulturë dhe letërsi.
E takova Jonilën në zyrën e saj që ndodhet në katet e fundit të njërës nga kullat e larta të Tiranës. Me vështrimin nga shatërvani, parku dhe betoni që duken nga dritarja e zyrës së saj, ajo flet shpejt dhe me ndershmëri për arritjet e saj. Ajo ka arritur shumë dhe është me të drejtë krenare për këtë.
Lindur në Sarande në jug të Shqipërisë, familja e saj u persekutua gjatë regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Familja e nënës së saj kishte macionalistë që kishin kundërshtuar diktatorin, dhe si rezultat, e gjithë familja ishte shkatërruar. Gjatë pothuajse 50 viteve të sundimit komunist, e gjithë linja e tyre familjare vuajti pasojat. Pavarësisht kësaj, jeta në Sarandë nuk ishte aq e keqe pasi largësia nga Tirana do të thoshte se ata mund të jetonin deri diku normalisht.
Ajo më tregon për një nga kujtimet e saj të para, kur disa turistë të huaj kishin vizituar zonën.
“Mbaj mend erën e parfumit të tyre, këtë aromë të fortë dhe dehëse. Mbetet si një nga kujtimet më të forta që kam nga fëmijëria ime,” tha ajo, duke shtuar se gjatë atyre viteve, nuk kishte menduar përse nuk mund të ishte si ata. Ajo nuk pyeste pse gjërat ishin ndryshe në Shqipëri.
Pastaj një ditë papritur, familja e saj u zhvendos në qytetin e Gramsh, kilometra larg nga jeta e tyre në bregdet. Çdo gjë ishte ndryshe atje – ishte më provinciale, më pak e lirë dhe më e vogël. Jonila u ndje e bllokuar, por edhe më e vendosur për të pasur sukses.
Një studente e përkushtuar dhe punëtore, ajo shkëlqeu në çdo lëndë, por për shkak të njollës së zezë në mbiemrin e saj, ajo e gjeti veten të përjashtuar nga mundësitë që u jepeshin atyre me nota më të ulta. Ata që ajo tejkaloi në çdo lëndë, shkuan në Tiranë dhe morën privilegje të veçanta, ndërsa asaj i mohohej të shkonte dhe pyeste veten pse.
Gjatë këtyre viteve, prindërit e saj bënë çmos për ta mbrojtur atë nga realiteti i kohërave dhe nga përndjekja e imponuar ndaj tyre. Ndërsa ata kishin qëllimet më të mira, Jonila shpjegon se ajo kaloi pjesën më të madhe të rinisë së saj rrethuar nga mungesa e informacionit.
Vetëm kur ajo u rrit dhe mund të kujtonteato vite të vështira, vërtet kuptoi se çfarë kishte ndodhur dhe pse.
“Shpesh pyes veten se si një person inteligjent nuk mund ta kuptonte ose të ishte i vetëdijshëm për diktaturën,” tha ajo.
Jonila shpjegoi se ajo shikonte dallime dhe pabarazi midis qytetarëve, por në atë kohë, ajo nuk e kuptonte mire pse ndodhte kjo.
“Nëse prindërit tuaj nuk sqarojnë se kush janë ata, çfarë u ndodhi atyre, pse dhe çfarë bën një regjim komunist për njerëzit, ju rriteni me propaganda dhe shpërlarje trush,” tha ajo.
Pastaj një ditë, teksa vizitonte gjyshin në Elbasan, një pikëpyetje i lindi në kokë.
“Ai ishte popullor në qytet, por I zioluar nga regjimi. Një ditë po dëgjonim Radio Tiranën, po jepeshin sukseset e kooperativave – shifra, numra dhe propagandë. Pas çdo fjale, gjyshi pështynte. Atëherë nuk e kuptoja përse,” tregoi ajo.
Kur mora guximin ta pyes përse, ai vendosi të fikë radion në vend që të më përgjigjej.
Në shkollë në Sarandë, Jonila ishte në klasën e Informacionit Politik, ku nxënësit më të mirë të shkollës lexonin dhe analizonin përmbajtjen e gazetave. Një djalë i ulur në pjesën e prapme të klasës foli dhe tha: “ato janë gënjeshtra, gjithçka në gazetë është gënjeshtër”. Ai u mor nga klasa dhe nuk u kthye për ca ditë.
Jonila tha që ky moment ishte një pikë kthese që i jep akoma drithërima në trup kur e kujton.
“Nuk e kisha menduar kurrë këtë, nuk e kisha menduar kurrë që partia na gënjente … ishte shok për mua.”
Ndërsa ishte shumë e re për të qenë kritike, diçka kishte ndryshuar brenda saj dhe ajo filloi të kishte mendime se pse jeta ishte ashtu siç ishte.
Në ditët e fundit të sundimit komunist, Jonila nisi studimet në Universitetin e Tiranës.
Gjatë atyre viteve, gazetaria jashtë komunizmit nuk ekzistonte, kështu që ata që studionin letërsi, u bënë gazetarët e parë të vendit. Pak pasi mbaroi komunizmi, u formua Fakulteti i Gazetarisë dhe lindi ideja e gazetarisë së hapur, të paktën më shumë sesa kishte qenë deri në ato momente.
Jonila filloi të shkruante për ‘Popullit Po’, përpara se të kalonte tek Koha Jonë dhe gazetat e tjera të reja.
Jo vetëm që ajo ishte një nga gazetaret e para të Shqipërisë, por ishte një të paktat gazetare femra. Jonila e përshkruan kohën si të vështirë ku njerëzit nuk dinin se çfarë të bënin me lirinë e tyre dhe thënë shkurt, mbretëronte anarkia.
E njohur për intervistat e saj me politikanë dhe komentin e saj intensiv politik, ajo trajtoi disa nga temat dhe figurat më të diskutueshme të kohës pa frikë dhe e palëkundur. Por ndërmarrja e një roli të tillë pati pasojat e veta.
“Mbaj mend që po kaloja pranë hotelit Rogner ,me plumba që më fluturonin përreth teksa ngisja biçikletën kur isha duke punuar për Koha Jonë,” tha ajo.
Jonila shpjegon se si ajo duhej të krijonte dhe të mirëmbante një paraqitje të jashtme të fortë dhe të ashpër në mënyrë që të kryente punën e saj profesionale. Si një grua e re, e sapo dalë nga universiteti, ajo duhej të ishte e fortë për të mbijetuar.
Por pas ca kohe ajo u lodh duke tentuar të hiqej si e fortë për hir të profesionit. Për më tepër zbuloi dhe që artikujt e saj po censuroheshin dhe filloi të humbasë besimin tek gazetaria.
Ajo kishte shancin të shkonte në Gjermani dhe e shfrytëzoi atë. Ajo kaloi shtatë vjet në Frankfurt, duke e lënë gazetarinë pas saj dhe duke u përqëndruar tek shkencat politike. Kur arriti për herë të parë në Gjermani, ajo nuk e dinte gjuhën, por me këmbëngulje dhe me inteligjencën e saj të mprehtë, ajo e mësoi. Pas ca kohësh, Jonila filloi të përkthente nga gjermanishtja në shqip, duke zgjeruar më tej aftësitë e saj.
Ajo përktheu vepra të mëdha të letërsisë nga një gjuhë në tjetrën, duke prekur çdo fjalë dhe duke e shijuar atë. Ajo gjithashtu shkroi librin e saj të parë ‘Puthja e diktatorit’ për jetën e saj në Shqipëri nën sundimin komunist.
Pas shtatë vjetësh jashtë vendit, ajo vendosi të kthehej në Shqipëri. Ajo më thotë se si i konsideron të dyja vendet si shtëpinë e saj për arsye shumë të ndryshme dhe se nuk mund të zgjidhte midis tyre. Ndërsa Gjermania ofron rend, strukturë dhe siguri, kaosi në Shqipëri dhe nevoja për punën që ajo bën vazhdon ta tërheqë në atdhe.
Duke parë se çfarë mungese informacioni kishte në vend dhe sa të zhytue në errësirë ishin të rinjtë, ajo e bëri misionin e saj për të bërë një ndryshim. Ajo dëshironte t’i afronte të rinjtë me informacionin për atë që kishte ndodhur në Shqipëri gjatë 45 viteve të sundimit komunist.
Jonila ngriti Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë. Instituti punon në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer dhe përqendrohet në përfshirjen e shoqërisë në diskutime, debate, mësim dhe studimin e temave që sjellin një demokraci më të zhvilluar. Disa nga punimet që ndërmarrin kanë të bëjnë me krimet e së kaluarës dhe me mënyrën në të cilën e kaluara totalitare e Shqipërisë nuk është njohur plotësisht, ku shumë prej tyre ende kërkojnë drejtësi.
Por, për një grua kaq të realizuar publikisht, Jonila e merr shumë seriozisht privatësinë e saj. Ajo tregon se si një ndihmëse e saja I kishte dërguar një listë me të gjithë kërkimet më të shpeshta në internet për të. Askush nuk kishte kërkuar për sukseset dhe arritjet e saj, por se më kë ishte e martuar, sa fëmijë kishte dhe në çfarë skandalesh ishte përfshirë.
Ne diskutojmë sesi gratë në sytë e publikut shpesh janë të famshme për gjithçka tjetër, veçse për atë që duhet të jenë të famshme – një realitet i trishtë në botën e sotme. Por Jonila ngrihet mbi këtë dhe është e vendosur ta mbajë private jetën e saj. Ajo dëshiron të njihet për punën e saj të vështirë, kontributet e saj, arritjet e saj dhe gjërat që dëshiron të bëjë, por ende nuk i ka bërë.
Në të ardhmen, Jonila shpreson të vazhdojë punën me studentët e saj dhe përmes Institutit, të ekspozojë krimet e së kaluarës dhe të mos lejojë që kujtimet të vdesin.
“Nuk mund ta mbyllësh të kaluarën për sa kohë që ka ende viktima dhe anëtarë të familjes së tyre akoma gjallë. Do të jetë si një plagë e hapur që është gjithmonë atje, një plagë shumë e dhimbshme. Njerëzit si familja ime, nëna ime dhe shumë të tjerë që pësuan shumë më tepër – ata kurrë nuk e kthyen dinjitetin e tyre dhe shoqëria nuk pranoi kurrë që ajo që po u bëhej atyre ishte e keqe,” tha ajo.
Jonila shpjegon se ndërsa ne nuk jetojmë më në një diktaturë, qeveria për momentin duket se po zhvillohet në një stil autoritar. Kjo, thotë ajo, është arsyeja pse puna e saj me të rinjtë është kaq e rëndësishme.
“Ata duhet të shohin se si funksionon me të vërtetë demokracia. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për krimet, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për 30 vitet e tranzicionit. Nuk mund të kesh pajtim pa pranuar krimet, emrat e viktimave, emrat e autorëve. duhet të flasim hapur për këto”.
Duke folur edhe një herë për kohën e saj si gazetare, ajo më thotë se ndjehet e turpëruar për mos dënimin e krimeve që u kryen gjatë atyre viteve të errëta.
“Unë thjesht po shkruaja për atë që ndodhi në ato momente, nuk shikoja se çfarë kishte ndodhur më parë. Nëse mund të kthehesha përsëri, do të dënoja krimet e komunizmit në atë kohë,” thotë ajo.
“Gratë, fëmijët, të moshuarit, foshnjat dy muajsh u burgosën në burgun e Tepelenës – këta ishin njerëz shqiptarë kundër popullit shqiptar. Kjo është arsyeja pse është e vështirë të bësh drejtësi sepse duhet të luftojmë kundër vetvetes.”
Kjo është intervista e tetë e një serie me 52 intervista.
Intervista u botua më parë këtu.
Përkthyer nga Exit News.