Rama: 6 milionë dollarë për dëmet e tërmeteve

Nga Gerard Gega
Rama: 6 milionë dollarë për dëmet e tërmeteve

Qeveria ka vënë në dispozicion rreth 6 milionë dollarë për të ndihmuar familjet e prekura nga dëmet e tërmeteve.

Këtë e tha sot Kryeministri Rama pas një mbledhjeje të qeverisë në të cilën u vendos për ndërhyrjet që do të bëhen.

Zoti Rama fillimisht iu shmang pyetjeve të gazetarëve se sa janë fondet e parashikuara për ndërhyrje, por më pas tha se:

Kemi vendosur pjesën e fondit rezervë dhe janë rreth 6 milionë dollarë në dispozicion sot, por është një shifër bazë, sepse kostot janë më të larta dhe do të duhet të plotësohen me elementë të tjerë.

Përpara se të tregonte për “fondin rezervë” Kryeministri qe pyetur se sa ishte Fondi i Solidaritetit që u shpall nga qeveria pas tërmeteve të 21-22 shtatorit. Ky fond qe thënë se do të mblidhej si kontribut nga thirrja ndaj “bizneseve, shoqatave dhe bashkëpunëtorëve të qeverisë që të ofrojnë ndihmë për familjet dhe qytetarët në nevojë”. Kryeministri nuk informoi asgjë për këtë fond.

Ndërkohë për sa i përket vendimeve të qeverisë, në daljen për shtyp zoti Rama tha se kishte vendosur për:

  • Kontroll ndërtesave të vjetra dhe mbi 50-vjeçare.
  • Ekzaminim ashensorëve për të garantuar sigurinë.
  • Zero taksë ndërtese për banorët, të cilëve u është prishur banesa, leja e ndërtimit t’u jepet brenda 5 ditëve.
  • Zerim borxhi për ujë e drita për familjarët debitorë, të cilëve shtëpia u është bërë e pabanueshme.
  • Sigurim i detyrueshëm i ndërtesave, jo më leje pa policë sigurimi.

I pyetur nga gazetarët se si do të veprojë qeveria për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura, Kryeministri përjashtoi mundësinë e kompensimit financiar. Ai tha:

Atyre që kanë humbur shtëpinë, do t’u bëjmë shtëpinë, lojëra me lekë nëpër duar nuk do të ketë, kush do ta bëjë vetë, është i lirë që ta bëjë, nuk do të paguajë asnjë taksë…

Rreth çështjes së sigurimit të ndërtesave Kryeministri u shpreh:

Kemi marrë një vendim me impakt afatgjatë, që parashikon masa detyruese për ndërtuesit për të lidhur një kontratë sigurimi me një afat dhjetëvjeçar me blerësit e apartamenteve, që mbulojnë dëmet për një afat trevjeçar ndaj të tretëve, kur ndërtimi shembet tërësisht apo paraqet defekte serioze. Nuk do të jepen më leje ndërtimi pa policën e sigurimit, që duhet ta kenë projektuesit dhe ndërtuesit dhe gjithashtu detyrimin e kompanive të sigurimit që të garantojnë mbulimin e dëmit.

Duke marrë shkas nga frika e qytetarëve prej plasaritjeve të disa pallateve, Kryeministri tha se përgjithësisht plasaritjet e dukshme “kanë qenë sipërfaqësore” dhe në rastet e vijave ndarëse të pallateve “janë fugat sizmike për të shpërndarë intensitetin e goditjes”.

Dy tërmete të fuqishme me magnitude 5.8 dhe 5.2 të shkallës rihter u regjistruan në veriperëndim të Durrësit më 21 shtator. Tërmetet shkaktuan dëme të rënda kryesisht në Durrës, Tiranë dhe rrethina. Tërmetet u shoqëruan me lëkundje të tjera, të cilat alarmuan gjerësisht popullatën.

Italia, Turqia, Franca, Gjermania dhe vende të tjera anëtare të BE-së janë thënë se do ta ndihmojnë Shqipërinë. Kryeministri përsëriti se ishte “në kontakte të vazhdueshme me shtetarët e këtyre vendeve”.

Rreth 10 ditë pas tërmeteve, qeveria nuk ka dhënë shifra se sa është numri i banesave të dëmtuara tërësisht, sa është numri i familjeve të pastreha dhe sa godina janë në rrezik për t’u shembur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>