Edhe pse Bashkimi Europian pëlqen ta përmendë shifrën magjike prej 93 për qind të shqiptarëve që mbështesin integrimin në BE të Shqipërisë sa herë që reforma në drejtësi vihet në pikëpytje, një sondazh i ditëve të fundit tregon se në të vërtetë shumica e shqiptarëve nuk besojnë se kjo reformë do të sjellë drejtësi.
Për sondazhin, i bërë nga organizata e pavarur e të drejtave të njeriut Komiteti Shqiptar i Helsinkit, u intervistuan 416 qytetarë nga i gjithë vendi (për krahasim, për sondazhin e Eurobarometrit intervistohen 1 mijë qytetarë).
Ky sondazh përfshinte 4 pyetje:
– A mendoni se jeni të informuar sa duhet, për procesin e Vetting-ut?
– A e kuptoni mjaftueshëm këtë process, nëse e keni ndjekur?
– Nëse e keni ndjekur procesin, a keni besim se ky proces është i drejtë, nisur nga rezultatet që ka pasur deri tani?
– A mendoni se Vettingu do të pastrojë vërtet sistemin e drejtësisë dhe do të bëjë këtë sistem më të mirë dhe të besueshëm për qytetarët?
Dy pyetjet e para morën përgjigje përgjithësist positive nga qytetarët. 67 për qind e të intervistuarve shprehen se janë të informuar për procesin e vettingut, ndërsa 85 për qind e atyre që e kanë ndjekur procesin, shprehen se e kuptojnë atë.
Kur bëhet fjalë për besimin se vetingu do të jetë një proces i drejtë, i paanshëm dhe se do të përmirësojë sistemin e drejtësë, 63 për qind e qytetarëve të intervistuarve përgjigjen negativisht.
Kjo tregon se një nga synimet kryesore të reformës në drejtësi – për të rritur besueshmërinë tek sistemi i pavarur i drejtësisë – ka dështuar. Shumica e shqiptarëve, pavarësisht mbështetjes për integrimin e vendit në BE, nuk besojnë se reforma në drejtësi do të sjellë një gjyqësor më të mirë, pavarësisht nga fushata e vazhdueshme e qeverisë dhe diplomatëve ndërkombëtarë në Shqipëri për të reklamuar të kundërtën.
Nëse këto shifra shërbejnë për ndonjë gjë, ato tregojnë qartë dështimin e qeverisë dhe ndërkombëtarëve për të ofruar një zgjidhje të besueshme, ndërkohë që reforma e tyre në drejtësi në praktikë ka shkatërruar çdo gjë që ka mbetur nga sistemi gjyqësor.