7 ditë pas tërmetit dhurimet për Qeverinë vetëm 4.2 milion Euro

7 ditë pas tërmetit dhurimet për Qeverinë vetëm 4.2 milion Euro

Porta Vendore mblodhi premtimet e Biznesit për 61 milion Euro të thëna publikisht. Çfarë po ndodh me solidaritetin, nuk ka besim tek Qeveria apo Biznesi premton shumë e nuk jep sa thotë.

Ministria e Financave nuk pranon kërkesën për transparencë dhe llogaridhënie. Pritet konferenca e Donatorëve.

Ministria e Financave deri në datën 3 dhjetor ka publikuar shumat e dhuruara nga individët, subjektet dhe qeveritë e huaja përmes faqes së Ministrisë së Financave. Pas kësaj date Ministria e Financave nuk ka bërë asnjë përditësim duke hequr edhe informacionin e mëparshëm.

Sipas të dhënave të MF në datën 3 dhjetor ishin arkëtuar nga shtetit shqiptar në llogari për donacion përmes bankave të nivelit të dytë; përmes e-Albania dhe në llogari të Bankës së Shqipërisë (dhurime nga shtete) shumat: 132 912 131 lekë; 2 797 120 EURO dhe 310 888 USD.

Në total 7 ditë pas tërmetit qeverisë shqiptare i janë dhuruar për fondin e fatkeqësisë vetëm 511 155 680 Lekë, rreth 4,2 milionë euro.

Disa fondacione kanë artikuluar mosbesim në kalimin e fondit të bamirësisë së grumbulluar prej tyre në llogaritë e Thesarit për tu menaxhuar nga Qeveria. Po njësoj edhe biznese të ndërtimit apo artistë shqiptarë me famë ndërkombëtare kanë parashikuar të ndërtojnë vetë drejtpërdrejt shtëpi për disa familje.

Ndërkohë gazetaret Elisa Gjerani dhe Eljona Ballhysa kanë hulumtuar mbi totalin e artikuluar si ndihmë dhe solidaritet për fatkeqësitë natyrore. Shkrimi i publikuar tek Porta Vendore ka përmbledhur një shumë prej 61 milion euro, disa herë më shumë se 4,2 milion euro të mbledhura në llogaritë e qeverisë shqiptare deri në datën 3 dhjetor. Gazetaret Gjerani dhe Ballhysa kanë llogaritur edhe premtimet e shoqërive të biznesit apo individëve si Lazim Destani, Shefqet Kastrati, Behxhet Pacolli, Samir Mane, shoqëria Salillari, shoqëria Gener 2 , Koncensionari Aeroporti i Rinasit, etj.

Ndërkohë vendimi i Qeverisë Shqiptare për t’i njohur dhurimet e kompanive shqiptare si  shuma të zbritshme për efekt tatimi nuk ka përcaktuar qartë nëse kjo vlen edhe për dhurimet në natyrë ‘in kind donation’.

AIS i është drejtuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Thesarit me kërkesë për transparencë me shumat dhe listat e donatorëve. Pas kësaj kërkese Ministria e Financave jo vetëm nuk ka publikuar listë transparente por edhe ka ndërprerë përditësimin çdo 24 orë të informacionit duke nënvlerësuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies për donacionet e besuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>