75-vjetori i çlirimit, nderohet mes Tiranës diktatori Hoxha

Nga Stafi i Exit
75-vjetori i çlirimit, nderohet mes Tiranës diktatori Hoxha

75-vjetori i çlirimit të Tiranës u shfrytëzua sot për të nderuar diktatorin Enver Hoxha dhe figura të tjera të regjimit diktatorial si Spiro Koleka apo Nako Spiru. Të vendosura në disa stenda në qendër të Tiranës, figurat e Partisë Komuniste u nderuan me të njëjtat konsiderata si në kohën e regjimit. Diktatori Hoxha lavdohej si “udhëheqësi dhe strategu u Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe arkitekt i socializmit”.

Pavarësisht se Shqipëria ka rreth 30 vite që ka rrëzuar diktaturën, dënimi i krimeve të regjimit dhe rishikimi i historisë për figurat kryesore të luftës mbeten çështje të pazgjidhura. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) ka botuar disa hulumtime mbi dokumenta arkivore rreth këtyre çështjeve. Ajo ka nxjerrë në pah ekzekutimet pa gjyq të kryera nga forcat komuniste. Për këto hulumtime, drejtuesi i ISKK Agront Tufa u sulmua politikisht dhe u kërcënua disa herë në rrjetet sociale.

Një nga stendat e vendosura për të nderuar drejtuesit e regjimit diktatorial.

Socialistët pretendojnë se ISKK “po hedh baltë mbi dëshmorët”. Për këtë ata ia kufizuan me ligj shtrirjen e lejuar kohore për të cilën ISKK mund të bëjë studime dhe refuzojnë të diksutojnë rreth pretendimeve për krime të kryera gjatë luftës nga Hoxha, Mehmet Shehu, Nako Spiru, Hysni Kapo, Fiqiret Shehu, Koçi Xoxe, Gogo Nushi, Haxhi Lleshi etj.

Refuzimin për të diskutuar rreth këtyre pretendimeve e tregon retorika që përdorin anëtarë të lartë të qeverisë. Këtu dallon zëvendëskryeministri Braçe, apo së fundmi edhe zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i cili sot tha:

”70 mijë partizanë së bashku me 50 mijë luftëtarë të tjerë anti-fashistë luftuan për çlirimin e këtij vendi. Sot kur pinjollët e Ballit Kombëtar dhe të Legalitet hedhin baltë mbi heronjtë e luftës antifashiste, është detyra jonë t’u përgjigjemi jo vetëm me ceremoni, por dhe me dinjitet se sa të rëndësishme janë sakrifica e tyre. Ky është një fakt i pamohueshëm përballë botës të ndihemi me dinjitet të plotë, falë sakrificiës së tyre. Lavdi partizanëve dhe dëshmorëve të atdheut!”

Retorika e qeverisë, e cila, shpesh e ka përfshirë PKSH-në në koalicionet e saj zgjedhore, i ka lënë shteg rikthimit në qendër të Tiranës figurave të regjimit diktatorial.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>