8 marsi, dita e braktisjes së gruas

Nga Olsi Sejamini
8 marsi, dita e braktisjes së gruas

Ashtu si çdo rast tjetër për të festuar dhe mos punuar, ne shqiptarët e presim me padurim këtë ditë. 8 marsi, dita e gruas, vetëm asaj nuk iu afrua as këtë vit.

Qeveritarët rendën me vrap se kush mund të gëzojë më shumë gratë e pranishme, shumica prej tyre të ardhura me detyrim nga organizatorët. Fjalimet e tyre ishin propagandë e thatë dhe pa shije. Në to nuk shprehej asnjë shqetësim për gratë, asnjë përgjegjësi, asnjë pendesë ndaj tyre – për falje as që mund të mendohet. Madje as vetë ato nuk folën.

Veprimtaritë e tyre për “fatin e mirë” transmetohen drejtpërdrejtë në media. Kjo e forcon më shumë idenë se gjithçka e politikës vetëm gruan nuk ka në qendër. Dhe ato vazhdojnë të jenë viktima të politikës.

Problemet e familjeve shqiptare janë të shumta, shumica mbahen mbi supet e nënave dhe grave. Ato nuk kanë nevojë për politikë, nuk kanë nevojë të rreshtohen para udhëheqjes me trëndafila në duar . Për to 8 marsi duhet të jetë protestë dhe jo festë para liderit politik.

Në një ditë si kjo, hendeku në liri dhe qytetari mes nesh e botës, shfaqet gjigand. Kudo në botë ngrihet zëri për të drejtat e grave, nga politikanët, figurat publike, tek gratë e shquara e deri tek gratë e zakonshme.

Gratë kërkojnë në SHBA barazi, jo diferencim të pagave, kërkojnë fund dhunës ndaj tyre dhe çdo lloj dhune tjetër. Në Uashington sot do të ketë protesta kundër politikave të Presidentit Trump. Kudo në botë gratë janë bërë pjesë e një proteste të veçantë, “Një Ditë pa Gruan”. Ato do ndalojnë sot së bëri gjërat e zakonshme, të shkojnë në punë, të udhëtojnë, të bëjnë pazar, të kontribojnë—për të treguar fuqinë e tyre dhe rëndësinë e tyre në jetë dhë ne botë.

Sot në botë politikanët nuk dërgojnë urime për gratë e aq më pak urime sikur gratë të ishin kukulla apo trofe. Sot ata reflektojnë, premtojnë apo japin llogari para grave që nuk rreshtin së kërkuari të drejtat e tyre.

Po në Shqipëri, gratë i kanë zgjidhur problemet e tyre? Tek ne nuk ka protesta. Tek ne sot, disa nga gratë më të njohura të vendit dalin përballë Kryeministrit e buzëqeshin dhe pas seancës së buzëqeshjes morrën dhuratë dy këllëf jastëku.

Por në këtë ditë, ndërsa kryeministri shpalos dukjen e tij fyese, organizatat e grave dalin në pah me mosdukjen e tyre. Organizatat që merren me çështjen e ofrojnë pak zgjidhje apo ndihmë, por kanë fitime të mëdha. Me këto fitime të majme disa nga pronaret-drejtuese të tyre japin edhe ato darka apo pritje-koktej në emër të grave në salla të zbukuruara me lule.

Grave të varfra dhe të pambrojtura nuk u shkojnë lulet. Ato kanë nevojë. Ato presin një dorë. Por të gjitha duart duket se janë të futura në xhepa.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>