8 parqe kombëtare të prekura nga sëmundja e pishave

Nga Erblin Vukaj
8 parqe kombëtare të prekura nga sëmundja e pishave

Rreth 60 përqind e parqeve kombëtare janë prekur nga procesionarja e pishës, insektit dëmtues, që nëse përhapet masivisht mund të thajë pemët.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi deklaroi gjatë kësaj jave se përhapja e këtij insekti ishte në rreth 14 për qind të gjithë sipërfaqes pyjore të vendit. Ai u shpreh se qeveria po shihte të gjitha mënyrat se si mund të ndërhyjë dhe se për këtë çështje po bashkëpunohet me Turqinë.

Ministri e përshkroi situatën në përgjithësi, pa u ndalur në zona specifike, si për shembull parqet kombëtare. Exit News u interesua pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), e cila tha se gjendja në parqe “është e mirë”. Megjithatë AKZM tregoi se gjatë vitit 2019 dhe në vazhdim procesionarja ka prekur grumbujt pyjor me pisha që gjenden në parqet:

  1. Lurë-Mali i Dejë
  2. Qafë-Shtamë
  3. Mali i Dajtit
  4. Shebenik-Jabllanicë
  5. Bredhi i Drenovës
  6. Llogara
  7. Theth
  8. Divjakë-Karavasta

Shqipëria ka 14 parqe kombëtare, prej të cilëve një është vetëm me sipërfaqe ujore – Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Kështu rezulton se së paku 60 për qind e tyre rezulton të jetë prekur nga proçesionarja, e cila dëmton kryesisht pemët halore, më së shumti pishat e zeza.

Sipërfaqja me pyje e kullota e 13 parqeve kombëtare është rreth 168 mijë hektarë. Nga kjo sipërfaqe 5 mijë hektarë janë vetëm me pisha.

AKZM i tha Exit News se ky insekt ka prekur edhe sipërfaqe me pishë “në parqet e klasifikuara si peizazhe të mbrojtura”.

Gjatë vitit 2019 sëmundja e pishës është konstatuar masivisht në territoret e së paku 12 bashkive: Pukë, Shkodër, Fushë-Arrëz, Dibër, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Vlorë, Fier, Berat, Gramsh, Librazhd.

Nga vrojtimet e kryera nga AKZM rezulton se:

“[…] në këto grumbuj pyjorë me pishë [të 12 bashkive] kemi një shkallë përhapje 40-45% të sipërfaqes, kurse shkalla e prekjes, në kufirin 50-55% të drurëve në të cilët gjenden 2-3 qeska [folezë insektesh] për dru. Në grumbuj pyjore të veçantë shkalla e përhapjes arrin mbi 80% të sipërfaqes.

Nga vrojtimet […] rezulton se ky insekt ka prekur veçanërisht grumbujt pyjor me pishë të zezë […] është vënë re se ky dëmtues preferon grumbujt pyjor me pishë që janë ekspozuar në drejtim jugor e jug-perëndimor. Në këto kushte insekti ka shkaktuar zhveshje totale të bimëve të pishës nga halat (çhalorizim i gradës 5).”

Siç Exit News ka raportuar më parë, procesionarja mund të luftohet me disa mënyra:

  • mekanike: pemëve u priten degët ku jane foletë e insekteve dhe asgjësohen me djegje. Kryhet gjatë dimrit.
  • bilogjike: përhapet një bakteri që vret insektet. Është e kushtueshme dhe zbatohet kryesisht muajve shtator-tetor.
  • bioteknologjike: vendosen kurthe të veçanta për të reduktuar riprodhimin e insekteve.
  • kimike: spërkaten preparate kimike që vrasin larvrat

AKZM dhe Bashkia Pukë – zonë me pyje të shumta me pisha – ka kryer disa ekspertime në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Pyjore në Institutin Bujqësor të Tiranës. Mendimi i specialistëve është se:

“[…] vetëm metoda mekanike e luftimit të procesionares […] nuk është efikase dhe nuk jep rezultat pozitiv për luftimin e këtij dëmtuesi, ndaj duhet të ndërhyhet me metoda të tjera”.

Në vitin 2015, për problemin e procesionares, Ministria e Mjedisit vendosi të ndërhynte me mënyrë mekanike në pyjet e rrethit të Korçës dhe të Devollit. Rreth 340 punonjës u angazhuan për të pastruar rreth 4,000 hektarë pyje. Projekti u tha se do të shtrihej në gjithë vendin.

AKZM thotë se “nisur nga metoda e luftimit që është zbatuar, konfirmojmë se ky dëmtues nuk eleminohet (zhduket) plotësisht dhe pas vitesh rikthehet, kjo sipas ciklit biologjik që ka ky insekt”.

Shfaqja e procesionares për vitin 2019 ka qënë më e madhe se ajo e vitit 2013. Specialistët thonë se kjo ka ardhur për shkak të kushteve të favorshme klimaterike gjatë periudhës Shtaor-Nëntor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>