Prokuroria e Durrësit arrestoi sot 9 persona dhe shpalli 9 të tjerë në kërkim si pjesë e hetimit në lidhje me shembjen e ndërtesave nga tërmeti i 26 nëntorit. Prokuroria pretendon se ndërtesat janë rrëzuar nga cilësia e dobët e punimeve.
Personat e arrestuar janë:
Arben Isaku — ish drejtor i ALUIZNI-t me akuzën shpërdorim detyre.
Për shembjen e pallatit 6 katësh, ku humbën jetën dy persona u arrestuan Klajdi Lame inspektori i INU, Albrend Qetka specialist i verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, dhe Defrim Celami specialisti që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik.
Për shembjen e Kavaleshencës, ku humbi jetën oficeri Besim Hajdarmataj u arrestuan Kujtim Hasa shef i shërbimeve me akuzën vrasje me dashje; dhe Ahmet Doda, drejtor i shtëpisë së pushimit, për shpërdorim detyre.
Për shembjen e hotel ‘Mira Mare’ ku humbën jetën dy persona dhe shpëtoi një tjetër u arrestua pronari dhe ndërtuesi Rruzhdi Xheka.
Për shembjen e Hotel ‘Tropikal’, ku humbën jetën dy vellëzërit nga Kosova u arrestua pronari dhe ndërtuesi Avdulla Osmani.
Gjithashtu, u arrestua edhe Nevjana Isufi, e cila sipas policisë me studion e saj private hartonte projekte fiktive.
Persona e shpallur në kërkim janë:
Arben Qato— Pronar i hotel ‘Vila Palma’;
Dëshira Qato — Shefe e urbanistikës në Bashkinë Kavajë, pronar e hotel ‘Vila Palma’;
Aldo Dakovelli — Shef sektori në Hipotekën e Durrësit;
Artemis Malko — Inspektor në Hipotekën e Durrësit;
Artur Cela — ish-drejtori i INUV;
Flamur Gjuzi — ish-drejtori i ALUIZNIT, Durrës;
Artur Terziu — pronari i ‘Bar Barons’ në Durrës, i ndërtuar në katin e parë të pallatit 6-katësh;
Si dhe dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në zonën e ish- Kënetës në Durrës;
Pas arrestimeve, Partia Demokratike akuzoi prokurorinë se po mbron Vangjush Dakon, përgjegjësin e vërtet të masakrës urbane. Edi Paloka, nënkryetari i PD-së tha se:
“Fajtorët rezultokan disa inspektorë lagjesh, ndonjë “ndërtues informal” e me siguri do dalin dhe bojaxhinjtë e pallateve!
Vangjush Dako është kryepërgjegjës për këtë situate, jo vetëm se ka mbi dhjetë vjet që drejton si kryetar bashkie, por edhe sepse privatisht ka qënë i implikuar direkt, me firmen e tij “3D”, në ndërtimin e shumicës së pallateve të dëmtuara.
Këtë fakt e kanë denoncuar dhe këto ditë me dhjetra qytetarë durrsak. Gjushi jepte lejet, Gjushi supervizonte, Gjushi jepte betonin e firmës së tij, Gjushi edhe ndërtonte me firmën e tij”.
Pas Edi Paloka reagoi edhe kryetari i PD-së së Durrësit, Ferdinant Xhaferaj, i cili tha se përgjegjësi i vetëm i “masakrës urbane në Durrës ka qenë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako”, dhe prokuroria me urdhër të Edi Ramës nuk po e heton.