Partia Demokratike ka ripërsëritur të hënën, akuzat për shpërdorim parash nga qeveria Rama për inceneratorët e mbetjeve.
Ish-deputetja Grida Duma të hënën, nga selia e PD-së, akuzoi kryeministrin Rama se në kohë të vështira për qytetarët, po shpenzon miliona euro për inceneratorët, të cilët as nuk ekzistojnë.
PD akuzoi Ramën se po i vjedh paratë nga buxheti i shtetit dhe paralajmëroi ndëshkim ligjor të Ramës, me ardhjen në pushtet.
Një ditë më parë dhe ish-deputetja Jorida Tabaku tha se qeveria Rama po shpenzon 400 milionë euro për tre inceneratorët, të Elbasanit, Fierit e Tiranës.
Ndërsa sot Grida Duma u shpreh se qeveria ka dhënë dy ditë më parë, dy milionë euro për inceneratorët e Tiranës dhe Fierit, të cilët megjithëse ende nuk janë ndërtuar i ka kushtuar qytetarëve 75 milionë euro.
“Dy milionë euro në këto ditë të vështira për shpenzimet e shqiptarëve, kur secili ka nevojë për ndihmë direkte financiare ndërsa Rama ulëret që s’ka para. Paska para për inceneratorët.”
Zonja Duma tha se qeveria duhet të ketë prioritet qytetarët, mësuesit, mjekët, të moshuarit, sot më shumë se kurrë:
“Ky është proriteti kur mjekët gënjehen se do merrnin shpërblimn e pandemisë. Kur mësuesit punojnë me tre turne dhe nxënësit shpenzojnë përditë për maska e mjete mbrojtëse ndërsa bëjnë vetëm dy orë mësim. Kur pensionistët që s’blejnë dot as ilaçet.”
Ajo i bëri thirrje qeverisë që të sigurojë maska, bonuse për bizneset e vogla që po falimentojnë dhe ushqim e të ardhura për familjet që kanë humbur vendin e punës e për pensionistët lënë në mëshirë të fatit.