Puna në pikën kufitare Bozhaj që lidh Shqipërinë dhe Malin e Zi është paralizuar pjesërisht mëngjesin e të martës pasi policia malazeze ktheu disa punëtorë shqiptarë për shkak të testeve të pavlefshme të COVID-19.
Kjo shkaktoi një situatë kaotike në pikën kufitare pasi grumbulli i punëtorëve bllokoi një pjesë të territorit në anën shqiptare të doganës duke vështirësuar trafikun, raporton REL.
E njejta situatë ka ndodhur edhe në pikën kufitare të Hanit të Hotit ku një numër punëtorësh shqiptarë nuk janë lejuar të kalojnë për shkak të testeve.
Personat e kthyer nga policia malazeze janë punëtorë shqiptarë që shkojnë çdo mëngjes në Mal të Zi përmes kësaj pike kufitare.
Nga 14 shtatori në Mal të Zi kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID në kufi, sipas të cilave do të lejohen të kalojnë vetëm personat që u ka kaluar 14 ditë nga doza e dytë e vaksinës, ose ata me një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë ose test të antigjenit jo më të vjetër se 48 orë.