Politika private – Pesë gjëra që kuptuam nga reforma në drejtësi

Nga Neritan Sejamini
Politika private – Pesë gjëra që kuptuam nga reforma në drejtësi

Procesi politik i hartimit dhe miratimit të reformës në drejtësi rezultoi më i rëndësishëm se vetë reforma. Në fund të fundit, pavarësisht zhurmës dhe ekzagjerimeve të zakonshme në të tilla raste, reforma në drejtësi ka pak gjasa të sjellë ndonjë kthesë të vërtetë në punët tona.

Në themel të realitetit tonë shoqëror, përfshi atë të drejtësisë, është politika që vuan nga probleme të thella, të cilat meritojnë reflektim kritik.

Më poshtë janë disa këto probleme të cilat dolën në pah gjatë betejës për reformën në drejtësi.

1. Politika si ushtrim publik ka vdekur—politika është, tashmë, çështje krejtësisht private, pa asnjë konsideratë apo ndikim publik dhe pa asnjë ngjyrim ideologjik, parimor, apo moral.

Përtej retorikës dhe propagandës sipërfaqësore, të gjitha veprimet e lojtarëve kryesorë të reformës në drejtësi ishin të motivuara dhe në shërbim të interesave thellësisht personale politike, pa asnjë konsideratë publike. E gjithë qasja dhe strategjia e tyre ishte në funksion të konsolidimit të pushtetit politik dhe asgjësimit apo dëmtimit të rivalëve politikë, brenda apo jashtë forcës përkatëse politike.

Shprehja kulmore e natyrës joideologjike, jomorale dhe jopublike e politikës së sotme ishte aleanca, e dukshme apo e fshehur, Meta-Basha (apo ndoshta Meta-Berisha) dhe përpjekja e tyre në tentativën për të rrëzuar Kryeministrin Rama në Kuvend.

Në vitin 2009, PD e justifikoi aleancën me LSI-në me reformat dhe procesin e integrimit europian. Pasi u braktis nga LSI dhe humbi zgjedhjet, në vitin 2013, PD e shpalli këtë aleancë një gabim të madh i cili çoi në degradimin dhe humbjen e pushtetit.

Që nga 2013, PD ka dhënë vazhdimisht siguri se bashkëpunimi më LSI-në ishte një kujtim i hidhur i së shkuarës dhe më të nuk e lidhte asgjë. Por në momentin e parë që interesat personale politike të krerëve të tyre u përputhën sërish, lindi një aleancë e re mes tyre.

Është e qartë se politika reale shqiptare është tej (ose më saktë, para) ideologjike, parimore apo programore. Kufiri artificial i viteve 1990-të dhe 2000 mes dy kahëve qartësisht të ndarë politikisht nuk ekziston më—tani është i mundur çdo lloj kombinacioni, çdo lloj aleance. “Ideologjia”, “parimi” dhe “morali” i vetëm politik janë interesat personale—nëse e kërkojnë llogaritë personale, në të ardhmen mund të kemi çdo lloj kombinimi, PS-PD, PS-LSI, PD-LSI, madje të treja bashkë.

2. Kryeministri Rama nuk ka as aftësinë dhe as vullnetin për të qeverisur. Ndërsa etja e tij për pushtet dhe dominim rritet çdo ditë, hendeku mes dëshirës dhe përpjekjeve të tij është i jashtëzakonshëm.

Qeverisja dhe drejtimi i një vendi kërkon shumë punë dhe përpjekje sistematike, kërkon durim dhe nerva, kërkon sakrifica nga jeta personale, sikurse edhe përpjekje të vazhdueshme për të zgjeruar dhe konsoliduar idetë dhe njohuritë.

Toni Blair, këshilltari i Zotit Rama, citon shpesh Ghengis Khanin: “Të pushtosh botën është gjë e lehtë. Pjesa e vështirë vjen kur i zbret kalit dhe duhet të fillosh të qeverisësh.” Vetë zoti Blair është shprehur se “Qeverisja është e vështirë. Është shumë më e vështirë se sa mendojnë shumë njerëz.“

Por zoti Rama e ka përqafuar qeverisjen me mentalitet “artisti”: punon kur i punohet, punon peër çfarë i pëlqen, i lë të lira kapriçiot e tij “artistike”, nuk i shpjegohet e nuk i jep llogari kujt, nuk ka problem nëse të tjerët janë të pakënaqur me punën e tij. Edhe pse Zoti Rama është një nga politikanët më të dobët intelektualisht dhe më të papërgatitur nga aftësitë që ka pasur ndonjëherë vendi, ai nuk ndjen asnjë trysni dhe ngut për t’i kompensuar këto mangësi me punë. Përkundrazi, ai e harxhin shumicën e kohës duke plotësuar qejfet private: pikturon çdo ditë, luan basketboll çdo ditë, hap ekspozita gati çdo muaj, dhe udhëton nëpër botë për të takuar miq e shokë.

Qëndrimi i tij se do të pranonte çdo gjë që do binin dakord SHBA-të dhe BE-ja ishte qëndrim skandaloz, por jo i pari i tillë. Ai ka lënë ekonominë, shëndetësinë, arsimin, etj në dorë të marionetave edhe më mediokre se vetja. E vetmja gjë me të cilën merret janë biznesi i ndërtimeve dhe pazaret për çdo koncesion, kontratë dhe favor që u shkon klientëve.

3. Kryeministri mund të bjerë nga pushteti në zgjedhjet e ardhshme. Nëse para krizës së reformës në drejtësi, besohej gjerësisht (dhe pa argumente) se mandati i dytë i Edi Ramës ishte pothuajse i sigurtë, tashmë është e qartë se Edi Rama mund të jetë i pari kryeministër post komunist që largohet pushteti pas një mandati. Pozita e tij duket aq e dobët sa shumë komentatorë politikë mendojnë (gabim) se ai do të largohet pa e mbyllur mandatin e parë.

Ajo që mund të thuhet me një farë sigurie është se, nëse në zgjedhjet e ardhshme LSI nuk do të hyjë në aleancë më PS-në ka gjasa që Zoti Rama t’i humbasë zgjedhjet. Ai ka krijuar një aleancë ku janë përzierë media, biznesi, politika dhe krimi, por kjo aleancë mund të mos i mjaftojë për të mbajtur pushtetin, pasi zhgënjimi ndaj qeverisjes ka rrjedhur qindra mijra vota të cilat nuk mund të kompensohen përmes dhunës, propagandës apo parasë. Tashmë, po rritet dita ditës numri i atyre që mendojnë se largimi i zotit Rama është zgjidhja më e mirë për të gjithë, përfshi edhe PS-në.

4. Biznesi dhe krimi kanë arritur të kenë një rol të madh në raportet dhe balancat politike në vend. I rrezikuar nga mocioni i mosbesimit kundër tij, Zoti Rama u kthye tek të gjithë elementët e dyshimtë që ai ka sjellë në parlament dhe arriti të sigurojë menjëherë mbështetjen e tyre, majde edhe me ata me të cilët ishte “ndarë” shumë keq. Duke qenë se motivimi i futjes në politike i kësaj kategorie nuk ka lidhje as me politikën dhe as me interesin publik, por me mbrotjen dhe zhvillimin e interesave dhe ndikimeve të tyre të biznesit apo kriminale. Zoti Rama patjetër që ju premtoi atyre favore. Disa prej tyre madje siguruan jo vetëm mbështetjen e tyre por edhe të të tjerëve.

“Të fortët” në politikë tashmë nuk janë më individë apo vota të shkëputura, por një forcë që përcakton balancat dhe fatet politike në vend. Në rastin konkret, ata janë arsyeja e vetme pse Zoti Rama vazhdon të jetë kryeministër. Në vigjilje të reformës në drejtësi, kjo duket, të paktën, ironike.

5. Politika është e dominuar nga “burrat e fortë” dhe ushtrohet si betejë mes këtyre “burrave të fortë”—në mënyrë konfliktuale, të dhunshme, përjashtuese dhe çnderuese ndaj tjetrit.

Në këtë gjendje kemi arritur për shkak të nivelit të ulët intelektual, kulturor dhe shpirtëror të politikanëve tanë kryesorë. Sharjet, shantazhet, përçmimet, talljet, mallkimet që politikanët lëshojnë ndaj njëri-tjetrin nuk janë thjesht mjete pragmatike për të luftuar kundërshtarin, por edhe dëshmi e mendjes së mbyllur dhe shpirtit të ngushtë të tyre.

Padyshim, trashëgimia komuniste e politikës dehumanizuese dhe shfarosëse ndaj kundërshtarit ka luajtur rolin e saj, por nga ana tjetër shumica e politikanëve nuk kanë investuar tek vetja. Nga ana tjetër, mungesa e qarkullimit të elitave drejtuese dhe mungesa e konkurencës së brendëshme partiake mund të jenë shkaqet moderne të kësaj politike primitive.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>