Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, gjendja e tregut bankar në Shqipëri deri në fund të viti 2016, tregon se banka Credins me kapital shqiptar renditet përpara bankës italiane Intesa San Paolo, duke u pozicionuar e treta përsa i përket aktiveve të kredive dhe të depozitave.
Ndërsa në vendin e katërt përsa i përket numrit të kredive, u rendit Banka Societe General, duke lënë pas sërish bankën Intesa San Paolo.
Kjo tregon rënien e vazhdueshme të bankës Intesa San Paolo, e cila prej vitesh po ul ndikimin e saj në tregun e kredive. Edhe pse arrin të ketë një vend të rëndësishëm në mbledhjen e depozitave, të cilat mesa duket investohen në kanale ndërbankare ose në tituj dhe gjithmonë e më pak në kreditimin e sipërmarrjeve shqiptare.
Kjo duket edhe në rënien e kuotës italiane në sektorin bankar, e cila është ulur në 12, 7 për qind. Ndërsa tregu vazhdon të jetë i zotëruar nga kapitali turk (BKT) me 27 për qind, nga ai austriak (Raiffeisen Bank) me 18, 8 për qind, nga ai shqiptar (Credins) me 14,5 për qind dhe në fund nga kapitali grek me 13,7 për qind.
Interesante duket hyrja në klasifikim e ABI Bank me kapital “Offshore”, e cila renditet në vendin e shtatë me 2,6 për qind të tregut. Por nëse, kjo bankë arrin të finalizojë blerjen e Veneto Bank dhe të NBG, kapitali “offshore” do të arrinte në 7,3 për qind duke e renditur ABI Bank në vendin e pestë në klasifikimin e bankave të nivelit të dytë në vend.