Faturimet ulen me 15 për qind, shqetësimi qeveritar rritet zero për qind – Koment

Faturimet ulen me 15 për qind, shqetësimi qeveritar rritet zero për qind – Koment

Sipas Revistës Monitor, që citon burime nga adminsitrata tatimore, xhiroja totale e biznesit shqiptar në tetor ra 15 për qind në krahasim me muajin shtator, duke zbritur në 42 miliardë lekë. Në mënyrë të veçantë, xhiroja e biznesit të madh ra me 17 për qind, ndërsa ajo e biznesit të vogël u rrit fare pak.

Numri i kuponave tatimorë të lëshuar ishte i qëndrueshëm në lidhje me muajin shtator, ndërsa vlera mesatare e faturave u ul nga 1 400 lekë në shtator në 1 180 lekë tetor. Vlera mesatarja për periudhën para shtatorit 2015 ishte 3 130 lekë.

Ky lajm u përcoll nga media të ndryshme dhe nuk u përgënjeshtura asnjëherë nga qeveria apo adminsitrata tatimore, por asnjëherë nuk u shpjegua plotësisht në domethënine e tij të vërtetë.

Natyrisht të gjitha të dhënat fiskale duhet të zhvishen nga ndikimet sezonale dhe përvoja tregon se tetori është gjithmonë një muaj me shitje më të ulta se shtatori. Në shtator qarkullojnë para të ardhura nga emigracioni, ndërkohë që hapja e shkollave shtyn shumë familje të shpenzojnë më shumë për veshmbathje, përve shpenzimeve për libra e pajisje shkollore. Megjithatë rënia prej 17 përqind është rënie shumë e madhe e nuk mund të shpjegohet vetëm nga efektet sezonale, të cilat zakonisht ndikojnë më pak se gjysma e këtij ndryshimi.

Në fakt, rënia e vlerës mesatare të faturave të lëshuara që nga shtatori konfirmojnë dyshimin se këto të dhëna dëshmojnë një gjendje dramatike të ekonomisë shqiptare, me shumë gjasa, si pasojë e fushatës së dhunshme kundër informalitetit vetëm tek bizneset e vogla.

Ulja e vlerës mesatre të faturës mund të ketë dy shpjegime: ose rritja e presionit të inspektorëve tatimore ka çuar tregtarët që të japin më shumë fatura, por duke ulur vlerën e deklaruar, ose populli shqiptar ka zvogëluar në mënyrë të ndjeshme konsumin e tij.

Arsyeja e parë do të demonstronte dështimin total të “reformës” kundër informalitetit dhe do të përgënjeshtronte pretendimet triumfuese të qeverisë për rritje të xhiros së deklaruar. Arsyeja e dytë do të provonte dështimi e politikës ekonomike të një qeverie që është më aktive në bërjen e propagandës se sa në analizën e situatës ekonomike për të nxjerrë mesimet e nevojshme.

Sido që të jetë, fakti që qeveria i injoron këto të dhëna dhe deklaron suksese të pa mbështetura në fakte, dëshmon dështimin e çdo lloj transparence administrative të një qeverie që do të na bëjë të besojmë që po punon mirë duke fshehur të vërtetën dhe duke na hedhur hi syve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>