Asambleja e pedagogëve të Universtetit të Tiranës u mblodh sot për të diskutuar mbi ligjin e Arsimit të Lartë. Pas përfundimit të mbledhjes, pedagogët vendosën:
Krijimin e sindikatës së pedagogëve.
Shfuqizimin e ligjit të Arsimit të Lartë.
Nisjen e grevës deri në plotësim të kërkesave.
Ngritjen e një grupi pune për hartimin e ndryshimeve të ligjit të Arsimit të Lartë.
Ndërkohë, pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë nisur bojkotin e mësimit, ditën e sotme.
Pedagogët kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme shfuqizimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Në 24 dhejtor 2018, rreth 50 pedagogë, falenderuan studentët për guximin dhe qëndresën qytetare dhe kërkuan anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
Pedagogët propozuan që, pas anulimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
Më 14 janar 2019, pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale nënshkruan një peticion, me anë të së cilit shprehën mbështetje për protestën e studentëve dhe kërkuan sërish shfuqizimin e Ligjit për Arsimit të Lartë.
Më 24 janar, pedagogët i dhanë afat qeverisë deri më 1 shkurt për të plotësuar kërkesat e tyre. Ata zhvilluan një takim me Ministren e Arsimit, Besa Shahini, por pa asnjë rezultat.