Në tetor të vitit 2018 autoritetet britanike deklaruan krijimin e një fondi të veçantë prej 2 milionë paundësh, që do të shkonte kundër trafikimit të shqiptarëve dhe shfrytëzimit të tyre si skllevër në Britaninë e Madhe.
Rreth një vit më vonë, ambasada Britanike në Tiranë njofton hapjen e thirrjes për të përfituar mbështetje financiare nga ky fond.
Programi do të zgjasë deri në mars të vitit 2021 dhe do të mbështesë me edukim, rehabilitim, riintegrim dhe ndërgjegjësim të rasteve të veçanta të viktimave të së ashtuquajtur skllavëri moderne.
Po kështu programi synon të mbështesë me studime dhe trajnime zyrtarët e drejtësisë, të cilët do të duhet t’i trajtojnë këto raste me më shumë efektshmëri.
Sipas të dhënave të autoriteteve britanike 947 shqiptarë u raportuan si viktima të skllavërisë moderne vetëm për vitin 2018, ndërsa në vitin 2017 kjo shifër ishte 770.
Shqipëria është tashmë vendi i dytë me burimin më të lartë të skllevërve modernë në Britani të Madhe.
Skllevër modern cilësohen personat që pasi janë trafikuar, detyrohen në formën e kanosjes, apo të kufizimit të lirisë për t’u shfrytëzuar për punë, shpesh herë të paligjshme siç është trafiku i drogës, apo prostitucioni.
Autoritetet britanike kanë treguar shpesh raste ku persona, të cilët kanë shkuar ilegalisht në Britani janë detyruar të përfshihen në aktivitetin e grupeve kriminale pasi janë gjendur përballë një shume të madhe borxhi për t’u shlyer.
Për të shkuar në Britani trafikantët u marrin shqiptarëve shuma të ndryshme parashë, duke filluar nga 10,000 paundë. Në pamundësi për t’i paguar që në fillim këto para, shpesh njerëzit marrin përsipër për t’i shlyer me punë pasi të gjenden në Britani.
Me këtë mënyrë bandat kriminale atje po shtojnë rekrutimet kryesisht me njerëz nga veriu i Shqipërisë.
Me shtimin e radhëve të tyre, bandat shqiptare në Britani po zotërojnë trafikun e drogës, por po shtojnë edhe numrin nëpër burgje. Dhjetë për qind e të burgosurve tashmë është me kombësi shqiptare.
Për këtë arsye, ambasada britanike ka vendosur që programin e ndërgjegjësimit kundër skllavërisë moderne – përveç Tiranës – ta shtrijë kryesisht në veri të vendit, në zona si Dibra, Kukësi dhe Shkodra.
Thirrja për të paraqitur projekte që kanë këtë fokus është hapur deri më 6 shtator.