Për “15 ditë prilli” dhe për Anisën

Nga Dituri Meçi Dizdari
Për “15 ditë prilli” dhe për Anisën

Jeta nuk është ajo që jetojmë, por ajo që ti kujton dhe si e kujton atë.
Garsia Markes

Kur ndërmenda të lexoj “15 ditë prilli”, mendja më tha se do të ishte pranverë rrëzëllitëse shpirti, por ishte shumë më bukur se kaq. Ishte ndryshe.

Befasohem, gjendem para tablove, pikturave të një realiteti të jetuar edhe pse tashmë ai ka mbetur një film bardh e zi, pa zë.

Gjej paqe dhe luftë, dhënë me të gjithë spektrin e ngjyrave: ndodhitë e përditshme, në rrugë, në plazh spital e shtëpi. Më ngjau se lexoja klasikët e mëdhenj: plot nerv, pasion, ngjyrime në çdo fije bari, në çdo syth lulesh, në çdo regëtimë zemre, ëndërrimë e dëshirë seksi.

Si do i kish pikturuar Botiçelli ndjesimet drithëruese të Idës, sharmin e epërm mendor të saj, si të jetë jashtë kësaj bote? Po vrullin epshor të Teos, si ves që i jep kuptimin kotësisë, si do e kish dhënë Garsia Markesi? Po burrërinë e tij?

Ajo që më mbeti në mendje si një dritë vetëtime, deri në fund të leximit, është tabloja e vërtetë e rrëqethëse e diktaturës, që edhe pse i pashmangshëm presioni politik i saj, deri në çdo fije floku, prapë personazhet janë dhënë të vërteta në atë që flasin e në atë se çfarë bëjnë.

Por ajo që më shtang është se dikur e gjej veten të rrëmbyer nga perla të gjuhës së shkruar letrare, margaritarë metaforash e krahasime deri në damarë të hollë gjaku, tek derdhen trupit rrëke me vrrull – zë i hojmë femëror, tymthi (maramendthi), sy viganë, pluhurizë tiparesh, sy jataganë, boshtin kërcëllor si çeliku, tango e avullt, skaliste ajrin, të tarkaliteshin së bashku, të londitur nga valet, të lëpirë nga shkuma…

Zgjodha fare pak, por që tregojnë qartë stilin dhe cilësinë e të shkruarit të autores.

Figurë e çmuar në libër gjendet edhe Vilsoni, që goditet për vlerat e tij. Ai del nga burgu, ku qëndroi i dënuar, për të hyrë në një tjetër burg– atë të vetvetes, të kohës. Dhe malet rëzohen e thërrmohen e më nuk durojnë.

Donte apo nuk donte “heroi ndërplanetar pallëlarë”, njerëzit e Kosheres jetonin, punonin, vuanin, ëndërronin, dashuronin me gjithë fuqinë e shpirtit, dhe me gjithë fuqinë e shpirtit ofshajnë, mallkojnë përballen, luftojnë, vriten, por me lirinë në shpirt.

E gjitha kjo është mpiksur në çdo jetë njerëzore, dhënë përkryer nga pena e Anisës, si të qe penel në kanavacën e bardhë.

Edhe te nëpunësit e pisët të Kosheres janë dhënë me një kolorit të mrekullueshëm veset e mashtrimet e tyre të lindura, si jo shpesh në letërsinë tonë më të mirë.

Më goditi e më mbeti në mendje figura e Ida Raezit. E aftë të mbijetojë, të zgjidhë, të çlirojë.

Dy fëmijë, binjakë, foshnjat e një nëne sublime, vriten për të paguar pafajësinë e tyre, lirinë. Ajo tronditet dhe i rrëmben nga morgu për të mos vdekur edhe njëherë tjetër, në bisturinë e pedagogut, edhe pse e ndien se e mallkuara kohë nuk do ta kursejë.

Dikur Anton Çehovi i shkruante mikeshës së tij shkrimtare, Lida Avillovnës se një grua duhet të shkruajë sikur qëndis. Kjo m’u kujtua tek po lexoja librin e Anisës. Ajo ia ka dalë t’i hyjë triumfuese kohës së nëmur, të qëmtojë situata, të hyjë në çdo skutë të qenies, të bëhet zonjë e atij oazi që e ka pushtuar me gjithsej. Ka gjetur aty dhe engjëllin dhe djallin, i ka bërë të flasin, të na tregojnë ne dhe të gjithë botës pas nesh se çfarë ishte ky vend i shkretë, ky vend i mjerë prej nga vijmë, se kush janë këta njerëz të mrekullueshëm, me dobësitë dhe dashuritë e tyre, që meritojnë më të mirën e më të bukurën.

Libri mua më erdhi si një reze dielli e sapolindur mes shpatullash mali kockë e lëkurë të mëmëdheut. Një ndër librat më të veçantë të këtyre tri dekadave, ai detajon artistikisht esencën e asaj çfarë ndodhi me shtypjen dhe goditjen nga sistemi diktatorial si formë e qëllim i pushtetit. E më pas reagimi dhe përballja e njerëzve me këtë sistem monstruoz.

Me Anisën, që fëmijë na kanë ndarë vetëm dhjetë hapa nga shtëpitë e njëra-tjetrës te Selvia. Përtej kujtimeve të pashlyeshme në këtë rrafsh personal, Anisa Markariani na ka skalitur në kujtesë rolet e saj në kinematografi, me aktrimin inteligjent, sytë plot dritë e buzëqeshjet e pashtershme. Ndërsa ky roman i mrekullueshëm i saj është një skaner që ndihmon shoqërinë shqiptare të vendosë dorën mbi plagë, sa nuk është tepër vonë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>