Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari janë thirrur sot nga Presidenti Ilir Meta për t’u betuar si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Në thirrjen e bërë publike në faqen zyrtare të Presidencës, bie në sy mungesa e emrit të Arta Vorpsit.
Ceremonia e betimit do të bëhet sot në orën 19:00 në mjediset e Presidencës. Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji u zgjodhën më 11 nëntor anëtare të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi. Gjatë seancës plenare mazhoranca ngriti pretendimin se kandidatja tjetër, Arta Vorpsi ishte zgjedhur automatikisht pas përfundimit të afatit të përcaktuar për shprehjen e Presidentit.
Presidenti hodhi poshtë këtë pretendim dhe zgjodhi të mërkurën Marsida Xhaferllarin si anëtare në vend të Arta Vorpsit.
Tashmë me vota në parlament dhe me dekret të Presidentit ka 3 anëtarë të zgjedhur dhe një kandidate që pretendon vendin e anëtarësisë.
Arta Vorpsi, e cila ishte renditur e para në vlerësimet nga organet e reformës, anashkaloi sot Presidentin duke u betuar me një akt noterial të dërguar me postë Presidencës. Ky akt u cilësua shkelje e Kushtetutës, ndërkohë në Fletoren Zyrtare deri sot janë botuar vetëm emrat e Toskës dhe Papajorgjit si anëtare të zgjedhura.