Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të mbajnë sot një takim me video-konferencë për të arritur një dakordësi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Lajmin e konfirmon Financial Times.
Një zyrtar i BE-së u shpreh për FT se “ky vendim tregon se BE e ka ende në fokus procesin e zgjerimit” pavarësisht krizës së koronavirus.
Me shumë gjasa, sipas një draft-vendimi përgatitur nga Presidenca e BE-së dhe që Exit News e ka parë, Bashkimi Europian do të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas draftit, Franca dhe Holanda, dy shtetet që kanë kundërshtuar më fort hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, duket se kanë zbutur qëndrimin e tyre.
Greqia po ashtu, ka qenë një prej vendeve që nuk ka qenë dakord me vendimin për hapjen e negociatave, por burime diplomatike thanë se Athina ka dhënë miratimin e saj pasi drafti i fundit kishte një gjuhë më të fortë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Shqipëri.
Nëse asnjë vend nuk kundërshton, vendimi pritet të miratohet zyrtarisht në mes të javës. Vendimi duhet të jetë unanim, pra të mbështetet nga të 27 vendet e BE-së.
Ky do të jetë një sinjal pozitiv për 2 vendet të cilat prej disa vitesh nuk marrin votat e vendeve të BE-së për hapjen e negociatave.
Këtë javë ishte parashikuar të mbahej dhe samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor i BE-së drejtuar nga Kroacia. Nuk dihet ende nëse samiti do të zhvillohet online apo do të shtyhet për në një moment të dytë.