Qeveria e Kosovës po përballet me një krizë të madhe vetëm disa javë pas marrjes së pushtetit, pasi LDK, anetare e koalicionit po kërcënon të dalë nga qeveria.
Kryeministri Albin Kurti, gjithashtu drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), shkarkoi Ministrin e Brendshëm Agim Veliu të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kurti pohoi se Veliu kishte kundërshtuar publikisht qasjen e qeverisë për të mos mbështetur propozimin e Presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe kishte nxitur panik në publik për shpejtsinë e përhapjes së koronavirusit në Kosovoë.
Udhëheqësi i LDK-së, Isa Mustafa reagoi menjëherë duke e quajtur shkarkimin “të papranueshëm dhe në shkelje të marrëveshjes së koalicionit qeverisës [midis LVV dhe LDK]”.
Mustafa bëri të ditur se sipas marrëveshjes midis LVV dhe LDK, një ministët i propozuar nga LDK nuk mund të shkarkohet nga Kryeministri pa konsultime paraprake me drejtuesin e LDK-së.
Prishja midis dy aleatëve qeverisës vjen në mes të një krize tjetër, që ka të bëjë me heqjen e tarifave për mallrat serbe.
Kryeministri Kurti prezantoi në fillim të shkurtit një plan me dy hapa për të hequr tarifat. Ky plan kërkonte që Serbia të përgjigjej duke ndalur përpjekjet për të bllokuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, përpara se qeveria Kurti të hiqte plotësisht tarifat.
Në kundërshtim me këtë, administrata amerikane, e cila ka marrë rolin kryesor në përpjekjet ndërkombëtare për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë përsëri në tryezën e bisedimeve, bëri presion që tarifat të hiqen menjëherë dhe pa kushte.
LDK mbështeti kërkesat amerikane dhe i bëri thirrje Kurtit ta anulonte planin e tij dhe të hiqte të gjitha tarifat pa vonesë.
Disa nga deklaratat e LDK-së për këtë çështje kanë qenë mjaft kritike për Kurtin, duke e akuzuar atë për dëmtimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA, gjë që ka rritur tensionet midis dy partnerëve qeverisës.
Akti i sotëm për shkarkimin e ministrit të brendshëm ka shumë të ngjarë të jetë një sprovë e vështirë për mbijetesën e koalicionit. Nëse koalicioni prishet dhe qeveria bie, Kosova do të duhej të përgatitej për zgjedhje të parakohshme vetëm disa muaj pas atyre të tetorit 2019.