Ministrat e Jashtëm të BE-së arritën të martën një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Vendimi zyrtar është një prioritet formal që të merret në Këshillin Europian që do të mbahet këtë javë.
Presidenca e Këshillit Evropian ka përgatitur draft dokumentin e vendimit, i cili do të miratohet nga Këshilli.
Sikurse u konfirmua edhe nga mbledhja e ministrave të jashtëm, dokumenti tregon se Shqipërisë i kërkohet të miratojë një sërë kushtetesh, para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare—takimi mes dy palëve ku miratohet kuadri i përgjithshëm për zhvillimin e negociatave.
Dy shqetësimet kryesorë që theksohen janë ndalja e azilantëve shqiptarë në BE dhe ndryshimet në ligjin e mediave sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Për të dyja këto probleme ngarkohet Komisioni Europian t’i ndjekë nga afër dhe raportojë:
“Prioritetet kryesore, për Shqipërinë mbetet lufta e dukurisë së azilantëve të paligjshëm dhe riatdhesimi i tyre, si dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.Komisioni do të raportojë mbi këto dy çështje, përfshirë përparimin e bërë gjatë prezantimit të kuadrit ligjorë të bisedimeve”.
Konferenca e parë ndërqeveritare është parashikuar të mbahet brenda qershorit 2020, me kusht që Shqipëria të plotësojë kushtet e mëposhtme.
1. Miratimi i reformës zgjedhore në përputhje me kërkesat e OSBE-ODIHR, si transparenca në financimin e partive dhe fushatës zgjedhore, vazhdimi i zbatimit të reformës në drejtësi.
2. Përparimi i reformës në drejtësi, sidomos procesit të vetingut dhe funksionimit normal të SPAK-ut.
3. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës e Lartë, duke marrë parasysh mendimin e Komisionit të Venecias, dhe ngritja e strukturave të specializuara të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
4. Forcimi i luftës kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar me rezultate konkrete, duke zbatuar planin e hartuar nga Task Forca Financiare e BE-së.
5. Miratimi i ligjit mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshilit të Evropës dhe të vazhdojë me regjistrimin e pronave.
Reforma zgjedhore ishte planifikuar të përmbyllej brenda marsit por është shtyrë për shkak të krizës së koronavirusit. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë priten që të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm por ka pak gjasa që të ndodhë para qershorit. Mbi të gjitha miratimi i opinionit të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese është shtyrë për t’u marrë në qershor.
Është e qartë se kushti për ligjin mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë kërkohet për të garantuar të drejtat e minoriteteve nën presionin e vëndeve anëtare si Greqia dhe Bulgaria.