A do ti përgjigjet tani Rilindja, Holandës me një “luftë opiumi”

Nga Stiliano Rushaj
A do ti përgjigjet tani Rilindja, Holandës me një “luftë opiumi”

Parlamenti holandez ditën e Martë votoi me shumicë të cilësuar mocionin për ndërprerjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen, për shkak të rritjes së aktiviteteve kriminale nga grupet shqiptare në atë vend. Kjo është masa më e fortë që një vend i BE ka ndërmarrë deri tani ndaj shndërrimit të Shqipërisë në vitet e fundit si “hambari i drogës për Europën”, apo “Kolumbia e Europës.” Ky vendim ishte në koherencë të plotë të një përpjekje disa vjeçare nga ana e partnerëve Euro-Atlantikë, sikundër Holanda, për ta ngritur si shqetësim trafikun e rritur të kanabisit me origjinë nga Shqipëria, rritjes së drogave të rënda me kalim tranzit nga vendi ynë, si dhe aktivitetin gjithnjë e më të strukturuar të bandave shqiptare në Europë.

Pavarësisht këtij vendimi të skajshme, përfaqësues të maxhorancës thuajse nuk kanë reflektuar dhe po përpiqen ta heqin vëmendjen nëpërmjet gjendjes së vazhdueshme të skandaleve në vend. Madje opinionistë por dhe media kombëtare, dështimin e qeverisë aktuale për të përmbushur kushtet e marrëvëshjes së lëvizjes së lirë – hyrë në fuqi prej vitit 2010 – përpiqen ta sfumojnë duke anatemuar sistemin politik holandez si thëllësisht populist dhe racist ndaj shqiptarëve, si një vend me dy standarte apo edhe një narko-shtet në ngritje.

A mos vallë është anakronike si qasje?!

Përkundrazi, kjo ndoshta mund të jetë një “Opium 2.0”.

Rreth dy shekuj më parë, Britania e Madhe arriti të ndryshonte gjeopolitikën e Lindjes së Largët dhe kryesisht Kinën duke kontrabanduar opium, i cili njihet gjerësisht sot si baza për prodhimin e heroinës, droga më e shitur në Europë dhe SHBA. Deri në fillim të shek 19, Kina nën sundimin e dinanstisë Qing ishte fuqia më e madhe e botës, por varësia e popullatës së saj ndaj opiumit që kontrabandohej nga tregtarët britanikë, të Kompanisë Indisë Lindore e dobësuan në mënyrë të skajshme.

1839 trafikoheshin në portin e Guangzhout, mbi 2000 ton opium, i kultivuar kryesisht në Punxhab të Indisë. Ndonëse përdorimi i opiumit ishte i ndaluar nga autoritetet qëndrore, suksesi i penetrimit të tij ishte në saj të varësisë tepër të lartë (mbi 12 milion njerëz) dhe korrupsionit në aparatin burokratik të provincave të perandorisë. B

Britanikët ndërmorën dy luftëra të njëpasnjëshme me pretekst të opiumit por që arritën të tjetërsojnë jo vetëm shoqërinë kineze të kohës por dhe vetë ekuilibrin e fuqisë së rendit botëror të shek të 19.

Sigurisht aktualizimi i kësaj narrative historike sot me Shqipërinë dhe Holandën si Britania dhe Kina e dikurshme do të ishte në kufijt e absurdit – edhe pse Holanda në aspektin e tregëtisë globale zë një vend të rëndësishme relativisht i krahasueshëm edhe me Kinën e sotme – megjithatë konteksti i trafikut të narkotikëve mbetet i rëndësishëm për tu konsideruar.

Raporti i fundit i DASH mbi narko-trafikun global vinte theksin në rritjen shumëshifrore të kultivimit të opiumit në Afganistan (rreth 3 herë më shumë) – 9000 ton – dhe kokainës në Kolumbi (2.5 herë më shumë) – 900 ton – për periudhën kohore 2013-2017. Vetëm për periudhën 2016-2017 në Afganistan kultivimi i opiumi është dyfishuar.

Shifrat janë po aq alarmante për sa i përket varësisë në rritje të drogëravë nëpër Europë, sipas studimeve dhe vlerësimeve periodike nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drograve EMCDDA. Për vitin 2018, së paku 10 nga 22 shtete raportuese të saj theksonin se Shqipëria tashmë ishtë shndëruar në burimin kryesor të kanabisit në Europë – duke zëvendësuar Marokun që e mbante këtë rol prej më shumë se një dekadë e madje edhe Libisë që vitet e fundit për shkak të luftës civile po zinte një peshë të rëndësihme në trafikimin e kësaj lënde. Varësia nga drogërat në BE llogaritet në 90 milion përdorues për kanabisin, 17 milion përdorues për kokainën dhe 16 milion për heroine e kryesisht tek moshat e reja 15-34 vjeç.

Ndërkaq në mënyrë shqetësuese është intensifikimi i rrugës së Ballkanit në trafikimin e heroinës dhe opiumit të Afganistanit dhe Iranit drejt BE, zgjerimin e aktivitetit kriminal të grupeve të strukturuara shqiptare në trafikimin e kokainës direkt nga Amerika Latine në Europë dhe rrezikshmëria në tranzaksione të pastrimit të parave me destinacion terrorist.

Shqipëria për herë të parë futet në 23 vendet nën monitorim nga DASH për rrezikshmëri të lartë nga impakti i drogës ndaj popullatës lokale. Ndër këto vende janë, Ekuadori, Hondurasi, Kirgistani, Taxhikistani, Togo, Uganda, etj., të cilat nuk janë konsumuese të drogërave por prodhuese dhe nyje kyçe tranziti drejt tregjeve Europiane apo të SHBA-ve.

Sakaq raporti i OKB për Krimin dhe Drogërat (UNODC) vlerëson se vetëm në Afganistan prodhohen deri në 1100 ton heroine (ose 95% të prodhimit global) e cila më pas trafikohet nëpërmjet tre rrugëve: veri, perëndim dhe jug. Rruga veriore dhe ajo perëndimore (kalon nga Ballkani) kanë destinacion përfundimtar BE, ndërsa ajo jugore, tranzitohet në Afrikën lindore e më pas nëpër gjirin e Guines për të përfunduar në destinacionin e fundit SHBA, ose tranzitim sërisht për në Amerikë Latine dhe më pas SHBA ose Europë.

Ndërkaq vetë projekti qindra miliardësh “Belt and Road” i ashtuquajtur rivitalizues i rrugës së mëndafshit në projektet infrastrukturore të saj parashikohen të shtrihet gjerësisht nëpër vendet tranzit të opiumit dhe heroinës nga Afganistani. Projekti kinez synon të rrisë ndjeshëm shkëmbimet tregatare me Europën, duke synuar si destinacion final vetë portin më të madh të saj, Roterdamin. Nëpërmjet kësaj infrastrukture ndjeshëm të përmirësuar në vitet në vijim, trafiku i opiumit dhe drogërave të rënda do të mund të penetrojnë po ashtu më lehtë drejt përdoruesve në BE dhe SHBA.

Ndaj në këtë kontekst dinamik të narkotrafikut, një funksionari publik i përgjegjshëm me të tilla shifra dhe gjendje aktuale do ta bënin që të reagonte duke ndërmarrë masa parandaluese dhe më pas strategji me vullnet të mirëfilltë politik për ta luftuar krimin e organizuar. Kurrsesi parlamentarët holandez nuk mund të jenë të papërgjegjshëm që për kontekstin aktual të narko-trafikut, të mos veprojnë deri në atë pikë, ku krimi i organizuar të penetorjë lehtësisht në çdo sektor të ekonomisë, politikës dhe jetës sociale të vendit. Aq sa të mund të zgjedhin një parlament të ri, me vota të blera nga narkotrafiku dhe një qeveri të marrë peng prej saj. Në këtë pikë mbetet në dorë të shqiptarëve të vendosin.

A do munden vallë të pranojnë ti dorëzohen përfundimisht e me vullnet të plotë krimit të organizuar?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>