A duhet një lëvizje e re ne Shqipëri?

Nga Dritan Sakuta
A duhet një lëvizje e re ne Shqipëri?

Pyetjes “nëse duhet një lëvizje e re në Shqipëri” i përgjigjen të gjithë njësoj – Po.

Historikisht shqiptarët kanë treguar se janë te mirë për të cilësuar problemin, për ta treguar me gisht, por jo te gjejnë zgjidhjen. Nëse i pyet për këtë pjesë të problemit atëherë ke vetëm një ngritje supesh dhe justifikime për ngritjen e këtyre supeve. Por kujt po i justifikohen vërtet për këtë gjë?! Brezave te mëparshëm?! Vetes së tyre?! Apo brezave që do vijnë më vonë, të cilët do të vuajnë drejtpërdrejtë zgjedhjet e bëra ashtu siç brezi i sotëm vuan zgjedhjet që kanë bërë të gjithë brezat paraardhës.

Një nga lëvizjet të cilat mbahet mend më tepër nga shqiptarët mendoj se ishte Lëvizja “MJAFT”.

Kjo lëvizje nisi veprimtarinë e saj më 15 Mars 2003 dhe qëllimi kryesor i saj në atë kohë ishte asgjësimi i apatisë qytetare dhe ndjellja e shpirtit të protestës tek njerëzit. Fillimisht vetë fushata ishte menduar të zgjaste për 4 muaj dhe në këtë hapësire kohore do të mbulonte çdo dy javë një temë të caktuar. Mënyra se si aktivitetet organizoheshin nga drejtuesit e kësaj lëvizje dukej se po bënte që ajo ndoshta të fitonte te njëjtën përhapje si lëvizja populiste sot ne Evropë. Në çdo protestë të re numri i protestuesve rritej. Fillimisht protestuesit ishin grupe të rinjsh por pak nga pak çdo aktivitet filloi të mbështetej edhe nga plot të tjerë te cilët shihnin në këtë lëvizje atë që i kishte munguar Shqipërisë qysh prej dhjetorit të largët të 90’. Fushatat ishin të ndara në tetë tema të ndryshme dhe secila prej tyre vendosej në fokus për 2 javë.

Çfarë ndodhi me këtë lëvizje?! Mendoj se përgjigjja është shumë e thjeshtë. Ajo u politizua dhe u përdor si një katapulte nga shumë njerëz për t’iu futur rrugës së politikës. Madje njëri prej tyre sot është krye bashkiaku i Tiranës.

Fryma e dytë që mendoj se ka lënë mbresa në Shqipërinë e pas vitit 2000 ka qenë ajo e LRI-së.

Kjo organizatë u krijua në shtator të 2004 dhe që atëherë ka funksionuar si një urë lidhëse midis të rinjve dhe LSI-së. Kur kjo organizatë nisi punën e saj, shqiptarët sapo kishin filluar të njiheshin dhe me partinë e cila drejtohej nga Ilir Meta. LRI dukej për një çast se do të ishte një vazhdim i MJAFT-it tashmë të përhumbur diku mes politikës.

Po me këtë lëvizje çfarë ndodhi?! Njësoj si në rastin e MJAFT-it, përgjigja është po aq e thjeshtë. Ajo u politizua dhe u kthye në një oaz për të rinjtë që duan vende pune dhe për ti marrë ato duhet të sigurojnë një numër votash në çdo zgjedhje që kalon vendi.

 

Po i lejoj vetes të fus në një “thes” disa rryma të tjera që janë Forumi Rinor Eurosocialist, Forumi Rinor Agrar Ambjentalist, Forumi Rinor i Partisë Demokratike, Forumi Rinor i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe Forumi Rinor i Partisë Republikane të cilët dëgjohet se ekzistojnë vetëm kur janë zgjedhjet dhe askush nuk di se çfarë ndodh me to në pjesën tjetër të ekzistencës së tyre.

Edhe këto forume operojnë mbi parimin e ngritur dhe të forcuar nga LRI-ja: “Gjej Vota të të gjej Punën”.

Një lloj lëvizje tjetër e cila ka qenë e pranishme, por kurrë kaq aktive sa në ditët e sotme është edhe ajo me frymën e ekstremizmit. Në Tiranën e madhe mund të gjesh edhe dy a tre të tilla të cilat po shpresojnë të bëhen te mëdha. Organizata Politike, Organizata Udhëheqëse apo dhe Armatat e Arta të cilat në thelb duket se kanë më tepër një thirrje të dhunshme sesa një qasje për të ndryshuar gjërat. E pranoj dhe vetë se shumë herë jam tunduar për ti anashkaluar burokracitë e ndryshme dhe pengesat që shpeshherë janë të mëdha për të bërë ndryshime, por edhe këto thirrje kaq të dhunshme nuk mendoj se janë zgjidhjet që duhen paraqitur.

Shpeshherë këto duket se kanë në thelb disa adoleshentë të cilët mendojnë se në këtë formë është bërë revolucioni francez dhe se mund të bëjnë dhe këtu një revolucion të tillë, në kaq pak kohë dhe në atë formë. Ajo që ndoshta kanë anashkaluar është se që të bësh një revolucion është edhe elementi kohë i cili duhet me patjetër të jetë i gërshetuar me elementin ngjarje. Në Shqipëri elementi ngjarje mund të gjendet kudo, por elementi kohë jo.

Të rinjtë e viteve 90’ arritën të bënin atë revolucion të vogël, sepse i tillë ishte në vetvete, vetëm sepse kishin ngjarjen dhe kohën ndoshta ndaj ishte i suksesshëm deri diku. Ngjarja  e tyre nuk varej vetëm nga dinamikat e brendshme por edhe ato të jashtme. Kudo në Europë kishte rënë sistemi komunist dhe Ramiz Alia pavarësisht tentativave nuk mundi ta mbante më atë lloj pushteti.
Nëse shohim me kujdes, gjithçka në këtë ekuacion është e drejtë dhe çdo realitet fillimisht tregon se ka premisa për te lulëzuar, por ajo te cilën nuk llogarisin është elementi politik, i cili futet në çdo vend dhe mesa duket kalb dhe filizat ende te paçelura mirë.
Pse ndodh kjo gjë? Pse pikërisht në Shqipëri kjo është kaq negative?

Fatkeqësisht ne e dimë shumë mirë se politika në Shqipëri tregon gjithmonë e me shumë një frymë indiferentizmi për popullin e saj dhe është bërë koncept në mendjen e shumë njerëzve se të jesh politikan është baraz me të jesh i pasur.

Ndoshta është deri diku e vërtetë sepse këtu të pasurit ose janë politikanë ose kanë lidhje shumë të fuqishme me politikën çka dhe ju hap shumë rrugë që ndoshta një studenti ideal nuk do t’i hapeshin kurrë. Një i ri me ideale në një ambient të tillë nuk do mbijetonte kurrë, madje ato ideale do “haheshin për mëngjes” nga shumica në këtë lojë. Politika në Shqipëri është një lojë, një lojë të cilën të gjithë duan të bëjnë pjesë, por askush nuk sigurohet të lexojë rregullat më parë.

E vetmja pyetje që më vjen ndërmend tani është: “A ka vërtet nevojë për një lëvizje të re në Shqipëri”?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>