A duhet të mbyllet sërish Shqipëria?

Nga Exit News
A duhet të mbyllet sërish Shqipëria?

Ndërsa gjendja e koronavirusit është në pikën më të keqe që nga fillimi i epidemisë, në Shqipëria kanë filluar thirrje publike për të shtrënguar kufizimet.

Shqipëria është mbyllur vetëm një herë që nga fillimi i pandemisë, ndërkohë që shumica e vendeve Europiane kanë kaluar disa valë mbylljeje dhe për periudha të zgjatura, duke ngjallur edhe reagime të ashpra publike.

Në Irlandë shpërthyen protesta të dhunshme në fundjavë pasi qeveria shtyu edhe për një muaj periudhën e mbylljes së vendit, e treta në një vit.

Protesta ka patur edhe në Hollandë dhe në vende të tjera ku qeveritë kanë detyruar shtrëngime të mëdha që prej fillimit të vitit.

Gjermania vazhdon të jetë me masa të shtrënguara. Kancelarja Anxhela Merkel ka paralajmëruar për një valë të tretë të pandemisë. Dhe shumë rajone po përgatiten për një tjetër mbyllje.

Ka muaj që rajone të ndryshëm të Italisë kanë kaluar në mbyllje totale. Masa të rrepta shtrënguese vazhdojnë në Britaninë e Madhe e Francë.

Të gjitha këto vende janë në valën e dytë ose të tretë të mbylljes, si rezultat i rritjes së infektimeve dhe daljes së varianteve të reja të koronavirusit, më infektuese se sa virusi fillestar.

Po gjendja në Shqipëri?

Kufizimet që janë në fuqi në Shqipëri deri më tani janë:

● Ndalimi i lëvizjeve midis orës 20:00 dhe 06:00

● Mbyllja e dyqaneve, bareve dhe restoranteve në të njejtin orar;

● Mbyllja e universiteteve;

● Mbyllja e shkollat e mesme ne disa qarqe, përfshi Tiranë, Durrës, Lezhë, Lushnje, Kamëz, Berat, Gjirokastër, Fier;

● Mbajtja e detyruar e maskave si në ambjentet e jashtë dhe të brendshme;

● Distancimi social.

Por, të gjitha këto masa janë vetëm në letër.

Në indeksin e rreptësisë së masave anticovid të zbatuara nga vendet e botës, të sapo hartuar nga Universiteti i Oxfordit, Shqipëria është në mes: Me një indek 60, siç mund të shikohet. Në praktikë gjendja është edhe më e rehatuar në krahasim me vendet e tjera.

Por, në praktikë këto masa pothuajse nuk ekzistojnë fare: lejohen autobuzët urbanë pa asnjë mundësi distancimi social, lejohen baret dhe restorantet pa asnjë problem.

Për shkak të lehtësimit të masave, mos zbatimit të tyre në praktikë, periudhës së ftohte të dimrit, që prej fillimit të vitit 2021 po shënohet piku i numrit të infeksioneve dhe vdekjeve nga Covid19.

Shqipëria ka rritjen e dytë më të madhe në rajon, për mesataren e rasteve ditore, për infektimet me Covid19, vetëm gjatë muajit shkurt.

Dy muajt e parë të vitit 2021 kanë më shumë raste ditore se sa të gjithë muajt e vitit 2020. Rastet e infektimeve ditore, me përjashtime të vogla kemi rreth 1000 raste të reja çdo ditë, për muajin shkurt.

Nëse këto shifra i krahasojmë me vendet e tjera shohim se gjatë muajt shkurt, në krahasim me Italinë, Gjermaninë, Britaninë, Shqipëria ka më shumë infeksione për 1 milionë banorë.

Shqipëria është ndër 6 vendet me incidencën, përqindja e atyre qe dalin pozitive nga totali i testimeve, më të lartë në botë.

Gjatë muajit shkurt, Shqipëria ka nivel më të lartë të vdekjeve për 1 milionë banorë në krahasim me Italinë, Britaninë dhe Gjermaninë.

Ndërkohë, më shqetësuese është ulja e moshës së të infektuarve, pacientëve dhe të viktimace nga Covid19.

Burime për emisionin ‘Me Pak Fjalë’ u shprehën se të gjithë mjekët po kërkojnë mbylljen e vendit për të ulur ritmin e infektimeve. Qoftë edhe për një periduhë të shkurtër sa për të ulur kurbën.

Por, Kryeministri Rama ka kundërshtuar me të madhe këtë masë, duke patur merakun e fushatës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>