A e lejon propozimi i PS-së qytetarin të zgjedhë deputetin e tij?

Nga Exit News
A e lejon propozimi i PS-së qytetarin të zgjedhë deputetin e tij?

Në emisionin ‘Me Pak Fjalë’ në Euronews Albania, Neritan Sejamini shpjegoi se çfarë parashikojnë konkretisht ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut lidhur me listat e kandidatëve për deputetë, çfarë propozon shumica socialiste dhe a i jep vërtetë modeli i propozuar prej saj mundësi qytetarëvë të bëjnë deputet të preferuarin e tyre.

Ndryshimi kryesor që u votua në kuvend në 30 korrik lidhur me listat e kandidatëve ishte hapja e tyre me dy të tretat.

Çfarë do të thotë kjo? Thënë thjeshtë, do të thotë që një e treta e listës mund të jenë të mbyllura.

Pra pjesë e parë të listës se kandidatëve të një partie për çdo qark, nga ku dalin fituesit, e rendit partia, kurse fundin e saj mund ta rendisin votuesit.

Për ta thjeshtuar, le të shohim rastin e qarkut Tiranës, që ka numrin më të madh të mandateve, 34.

Një e treta e 34 kandidatëve, pra nga vendi i parë në listë deri në vendin e një mbëdhjetë renditen nga partia. Pjesa që mbetet, nga vendi i 12-të tek i 34-ti do të renditen nga zgjedhësit.

Çfarë do të thotë kjo praktikisht?

Në vitin 2017, Partia Socialiste mori 18 deputetë në Tiranë. Sipas Kushetutës, 11 prej tyre do i kishte caktuar partia, dhe vetëm 7 votuesit.

Po në vitin 2017, Partia Demokratike mori 12 deputetë— 11 do ishin caktuar nga Partia dhe vetëm një nga votuesit.

Tirana është zona që jep më shumë mundësi—në të gjitha zonat e tjera votuesve ju mbeten më pak emra për të renditur me pëlqimin e tyre.

Praktikisht, me lista dy të tretat të hapura, rreth 120 deputetë nga 140 do të vazhdojnë të caktohen përsëri nga partia.

Mund të themi me bindje se hapja e listave me dy të tretat është hapje fallco.

Në shtator 2020, shumica socialiste bëri një tjetër hap pas duke propozuar një formulë të re për listat: zgjedhësit mund të shprehin pëlqiminin për një kandidat, por kandidatët nuk renditen sipas pëlqimeve.

Listat renditen paraprakisht nga partia dhe shpërndarja e mandateve bëhet sipas renditjes partiake.

Pëlqimet e votuesve hyjnë në veprim vetëm në një rast: kur një kandidat jo fitues nga renditja e partisë merr më shumë pëlqime se mesatarja e votave për çdo mandat të fituar nga partia, ai i merr mandatin fituesit të renditur më poshtë në listë.

Pra, duhet të marrë më shumë pëlqime se herësi që del duke pjestuar numrin e votave me numrin e mandateve të fituar nga partia.

Thënë me pak fjalë, nëse një parti ka marrë 100 vota në total, të cilat i kanë dhënë dy mandate, herësi në këtë rast është 50.

Nëse një nga kandidatët e renditur nga numri tre e poshtë merr 51 apo më shumë vota ai i merr mandatin të fundit fitues, pra të dytit.

Me këtë model të PS-së në praktikë do të ketë raste shumë të rralla që të bëhet ndonjë ndryshim në renditjen e partisë.

Në disa raste madje kjo do jetë edhe teorikisht e pamundur. Në vitin 2017, PD mori një deputet në Gjirokastër, ndërsa PS një në Kukës. Mandati i shkoi të parit të listës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>