Kryeministri Edi Rama tha sot se hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore nuk shkel marrëveshjen e 5 qershorit arritur mes palëve.
“Sistemi zgjedhor dhe zonat zgjedhore nuk do të ndryshojnë. Kjo është në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Hapja e listave është korrektim. Ideja që hapja e listave prek marrëveshjen është çmenduri”, tha Rama në një konferencë për shtyp, të premten.
Ndërsa, Lulzim Basha e kundërshori këtë qendrim duke deklaruar se propozimi i shumicës për listat shkel marrëveshjen zgjedhore:
“Jemi të vendosur për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Ku pika 2 qartësisht përjashton mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor”.
Në një shënim në fund të marrëveshjes shkruhet se: “Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”.
Ky shënim është jo i paqartë dhe mund të intepretohet në mënyra të ndryshme, por në publik u kuptua sikur e mbylli mundësinë e ndryshimit të sistemit.
Nga ana tjetër, pika 10 e marrëveshjes përcakton se ndryshimet e propozimeve të miratuara në Këshillin Politik, duhet të miratohen nga Këshilli.
“Në rast të korrektimeve teknike të propozuara, ato duhet të aprovohen nga Këshilli Politik, para votimit”, shkruhet në marrëveshje.
Kjo pikë ka të bëjë me zbërthimin teknik të marrëveshjes dhe nuk mund të intepretohet se kjo pikë është shkelur.
Këshilli Politik në marrëveshjen e 5 qershorit ra dakord për çështjet e mëposhtme:
Data e zgjedhjeve
Data e zgjedhjeve do të caktohet në harkun kohor nga data 15 prill deri në 15 maj.
Identifikimi biometrik i votuesve
Palët kanë rënë dakord që të fillojnë ndërtimin e një sistemi për identifikimin biometrik të votuesve, duke dhe zbatimin e tij 100 përqind në zgjedhjet e ardhshme.
Ristrukturimi i KQZ-së
KQZ do të përbëhet nga tre trupa të shkëputura dhe të pavarura nga njëra tjetra, secila përgjegjëse për një nga aspektet e mësipërme.
Kolegji Zgjedhor
Kolegji zgjedhor është organi që gjykon ankimimet ndaj vendimeve të KQZ-së. Ai do të mbetet i pandryshuar dhe do të përbëhet nga tetë anëtarë të zgjedhur nga trupa e gjyqtarëve të apelit. Palët kanë rënë dakord që në Kolegj të përzgjidhen vetëm anëtarë që kanë kaluar procesin e vetingut.
Depolitizimi i komisioneve zgjedhore
Palët kanë rënë dakord të mos ndryshojnë përbërjen e komisioneve zgjedhore. Ato të vazhdojnë të jenë me njerëz politik. Punonjësit e sektorit publik mund të jenë pjesë e administratës elektorale të zgjedhjeve duke nisur nga zgjedhjet e pritura.