A është ende në garë për kreun e PD Astrit Patozi?

A është ende në garë për kreun e PD Astrit Patozi?

Astrit Patozi, ish-deputet dhe ish-nënkryetar i Partisë Demokratike nuk do të jetë në garë për kryetarin e Partisë Demokratike. Vendimi u mor dje gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së. Dy kandidatët e tjerë Astrit Sinanaj dhe Erion Piciri janë skualifikuar për shkak të mosplotësimit të procedurave të parashikuara në statut.

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka, në një prononcim për median, sqaroi:

“Rasti i Patozit ishte i qartë. Pati një deklaratë të Patozit ku shprehu dëshirënpër të kandiduar por me një sërë kushtesh. Sot deklaroi se kushtet e tij nuk u plotësuan. Pra Patozi nuk kandidoi se nuk ju plotësuan kushtet. Nuk ishte çështje burokracie, iu kërkua që nëse ishte realisht kandidat, duhet të vinte dhe të thoshte që jam kandidat, kaq.”

Akuzat  e Astrit Patozit

Në një intervistë për gazetarin Sokol Balla, dje në mbrëmje, Zoti Patozi u  shpreh i surprizuar nga vendimi i Kryesisë për të mos e pranuar kandidaturën e tij:

“Kjo është më shumë se farsë. Moskandidimi im apo shpallja e pavlefshme e kandidaturës time është e tepërt, është një gjë që unë se parashikoja. Nuk ka pasur një rregull që duhet të dorëzoje një dokument, por edhe nëse do të kishte unë prap nuk do ta bëja paraqitjen time. Mua më mjafton vullneti im i shprehur botërisht përpara 3 milionë shqiptarëve.”

Astrit Patozi vazhdoi më tej deklaratën duke thënë se ai do të vazhdojë garën:

“Unë vazhdoj të jem dhe do të mbetem kandidat për Kryetar i Partisë Demokratike, për aq kohë sa do të ketë garë.”

Zoti Patozi akuzoi kryetarin aktual të PD Lulzim Basha, kandidat në garë, se ka tentuar t’i ofrojë pazare:

“Nuk kanë qenë të paktë njerëzit e Zotit Basha që në këto ditë më kanë propozuar se Zoti Basha është i prirur , pavarësisht atyre që kanë ndodhur, që të ketë një marrëveshje.”

Akuzave të Zotit Patozi i janë përgjigjur menjëherë Arben Ristani, sekretar i përgjithshëm i PD dhe Fatbardh Kadilli, sekretar i Burimeve Njerëzore në PD. Zoti Ristani dhe Zoti Kadilli ishin negociatorë mes Lulzim Bashës dhe Astrit Patozit, për përmbushjen e usteve për garë të ndershme, kërkuar nga Zoti Patozi.

Zoti Ristani hodhi poshtë akuzat e Zotit Patozi:

“Keqardhje që “negociimi” për garanci statutore dhe kushte të barabarta gare konsiderohet si pazar. Kam bërë përpjekje që gara për kryetar të PD të ofrojë garanci statutore, gjithëpërfshirje dhe të jetë proce bashkimi për partinë.”

Ndërsa Zoti Kadilli shprehet:

“Bashkë më Zotin Ristani kemi komunikuar disa herë me Zotin Patozi por asgjë nuk meriton të quhet Pazar. Përkundrazi, jam angazhuar me sinqeritet dhe me dëshirën që zoti Patozi të qëndronte në garë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>