Kryeministri Rama mburret shpesh për aftësitë e tij oratorike dhe i njeh vetes mjeshtëri të pakonkurrueshme nga askush në këtë fushë. Oratorinë e tij ai e klasifikon në shkollën e Faik Konicës dhe e sheh të krahasueshme me të mjeshtërve të mëdhenj të gjuhës shqipe. Në një intervistë të fundit për emisionin Real Story, Rama e përsëriti këtë, duke e çuar vetëkënaqësinë në delir:
“Në këtë fushë nuk shoh asnjë konkurrent dhe nuk matem me asnjë nga këta që janë rreth e rrotull, por matem me ambicien time, që pas meje të lë një sërë fjalimesh që të hyjnë në librin e oratorisë shqiptare, që nga koha e oratorëve të mëdhenj e deri në këtë kohë, ku gjuha përdoret në të shumtën e herës si një gjymtyrë e shthurur, jashtë lidhjes me trurin.”
Një nivel i tillë narcizizmi është shenjë e një shthurjeje të thellë të sensit të realitetit për veten. Kjo nevojë e papërmbajtshme prej adoleshenti për të qenë ndryshe, për të qenë mbi të gjithë, i pakonkurrueshëm, i pakrahasueshëm me askënd, është qesharake dhe tregon për një çrregullim të thellë personaliteti. Kryeministri vuan nga gjendja e superioritetit iluziv dhe nga mania për t’ia shfaqur këtë gjithë botës.
Për t’ia dalë kësaj ai shpik fusha që nuk ekzistojnë, ku e projekton veten, jo thjesht si fitues, por si një gjeni i madh, i pakonkurueshëm. Ai sajon kështu një fushë të tillë si “historia e oratorisë shqiptare”, në librat e së cilës emri i tij do të qendiset me fije të arta, krahas gjenive të fjalës shqipe si Konica me shokë.
Konica, në fakt, njihet si publicist dhe jo si orator. Natyrisht, ai ka pasur edhe oratori në të folur, por nuk është kjo ajo për të cilën vlerësohet. Vlera e mjeshtrisë së përdorimit të fjalës tek Konica gjendet në shkrimet e tij, ashtu si dhe te shumë të tjerë si Noli, Fishta etj. Rama kërkon të hyjë në olimpin e tyre me fjalime, duke i vendosur ata në një fushë pa kuptim për figurat e tyre si oratoria.
Oratoria është një dhunti, jo një fushë më vete e aktivitetit njerëzor. Mund të jesh orator si politikan, si klerik, si artist, si aktivist, si prezantues në televizion etj. Në të gjitha këto, oratoria është një mjet i mirë dhe i rëndësishëm për të shkuar lart profesionalisht, por nuk mund të jetë oratoria vetë profesioni.
Rama është një politikan dhe një politikan vlerësohet mbi kritere të vendimeve që merr, angazhimeve, betejave, pasojave që i sjell shoqërisë dhe jo mbi aftësitë për të mbajtur fjalime të bukura. Fjalimet janë instrumente për t’i realizuar të gjitha këto dhe jo qëllim në vetvete.
Në fakt, si politikan, Rama ka dështuar në qeverisje, ndonëse ka qenë i suksesshëm në aftësitë e tij për të manipuluar turmat nëpërmjet propagandës dhe fuqive të mëdha mediatike që ka pasur gjithmonë në duar. Vetë fakti që veten e mat me tregues imagjinarë të vlerës së instrumenteve që përdor, dhe jo të rezultateve apo vetë punës që duhet të bëjë, tregon se ku qëndron politika e tij.
Megjithatë, pyetja shtrohet: A është Rama një orator i madh?
Sigurisht që ai ka aftësi oratorike, por kaq nuk mjafton për të qenë orator. Të dish të përzgjedhësh fjalë, t’i përdorësh mirë ato, t’iu japësh fuqi shprehëse, të ndërtosh me to figuracione, duke arritur të magjepsësh audiencën, nuk të bën detyrimisht orator të mirë. Deri këtu jemi në nivelin e llogjexhiut.
Për të qenë orator kërkohen një sërë vlerash të tjera, që Rama nuk i ka.
Pikë së pari, nuk mund të jesh orator i mirë kur mban fjalime maratonë, që zgjasin me orë të tëra, duke lodhur edhe adhuruesin më të zjarrtë. Fjala e përdorur me mjeshtëri është e kursyer. Shpërdorimi që i bën Rama është më shumë një abuzim me fjalën, që mund të pëlqehet nga turmat, por që mbetet shumë larg qëllimit të retorikës dhe oratorisë.
Së dyti, ekstravaganca retorike e përdorur pa kufi është gjithashtu një mangësi e thellë. Ajo e vret retorikën, duke u kthyer në qëllim në vetvete dhe duke zhbalancuar raportin midis vlerës së objektit për të cilin flitet dhe intensitetit verbal me të cilin ky objekt paraqitet.
Së treti, Rama është jashtëzakonisht kontradiktor dhe i pabesueshëm në gjërat që thotë. Fjalimet e tij kalojnë shpesh nga një qëndrim në një tjetër, pa koherencë, duke u bërë shpesh qesharak. Vetëm kontrolli që ka mbi mediat e bën të mos bëhet masivisht objekt barsaletash me pretendimet që ngre dhe arsyetimet që ofron ndaj kritikave.
Së katërti, Rama nuk ka mesazh në fjalimet e tij. Gjithçka që ai paraqet është imazhi i tij dhe fjala në vetvete. Retorika është më shumë qëllim i fjalimit të tij, i cili përdoret për të hutuar turmat dhe për t’i dhënë folësit aureolën e oratorit.
Së pesti, Rama nuk ka mendim. Fjalimet e tij janë të cekëta nga përmbajtja, ndërsa komunikimi i drejtohet instiktit dhe emocioneve të turmës, jo arsyes. Ndonëse gjuha e tij është e përpunuar, e pasur në figuracione, metafora, batuta, ajo në thelb shenjon masat dhe jo ato pjesë të shoqërisë që reflektojnë mbi problemet. Estetika e tij retorike është në funksion të manipulimit, i cili ka për qëllim të fshehë realitetin duke i bërë njerëzit të mos mendojnë. Rrjedhshmëria në të shprehur e Ramës është thjesht një vello mbi vulgaritetin e kumtit që ai përcjell.
Që prej Platonit, ka një diskutim që vlerëson se retorikë e mirë nuk është thjesht ajo që është bindëse dhe e artikuluar, por që nxit një reflektim e arsyetim të pavarur te dëgjuesi. Retorika e Ramës bën të kundërtën. Ajo lajkaton turmat, i ekzalton ata në funksion të instikteve të tyre më primitive, duke përdorur klishetë, paragjykimet, madje edhe urrejtjen e tyre për të eleminuar çdo reflektim. Rama mund të jetë një manipulues i mirë, por jo një mjeshtër i retorikës dhe, për pasojë, as një orator i madh.