Nëse këto ditë lajmi kryesor nuk është përditësimi nga koronavirusi kemi të bëjmë me një shoqëri paranormale. Kur edhe paniku nga virusi i tmerrshëm arrin të mposhtet nga egoja për pushtet, atëherë jemi në një fazë të errët të sundimit të arsyes.
Por duke qenë se kjo hipotezë tashmë është fakt në Kosovë, mbetet vetëm për të parë pse shkuan punët deri këtu.
Në fillim të shtatorit të shkuar, situata dukej shpresëdhënëse. Kandidimi i Vjosa Osmanit nga LDK, si prijëse e listës dhe kandidate e kësaj force politike për Kryeministër, ishte befasia më e këndshme e fillimit të fushatës zgjedhore.
Historia e shkuar politike kishte treguar fuqinë elektorale të Vjosës dhe kjo gjë nuk mund të injorohej më. Kupola sunduese e partisë më të vjetër në Kosovë (Mustafa, Veliu dhe Haziri) nuk dolën të ballafaqoheshin në mejdanin e votave. Ata do të duheshin më vonë për të menaxhuar rezultatin e Vjosës. Kjo gjë përflitej në të gjithë Kosovën dhe u përdor shumë nga kundërshtarët e saj në Partinë kryesore rivale, Vetvendosje!.
Vjosa luante “all in”, dukej sikur ky ishte basti i saj i fundit. Ose i fitonte të tëra (Kryeministre dhe Kryetare e Partisë) ose mbetej përfundimisht në hijen e burrave që sundonin ambientin konservator të asaj Partie.
Shansi një herë mund të jepej.
Nga ana tjetër ishte Albin Kurti, lideri absolut i Lëvizjes Vetvendosje!, themeluesi dhe prijësi historik i shpresave të “sovranistëve” kosovarë. Ai sapo “kishte përcjellë” një valë “demokratësh” që i kërkuan të shmangej nga mundësia për të kandiduar në mënyrë të përsëritur si Kryetar i Partisë.
Pritej që, për këtë arsye, VV të kishte njëfarë rënie nga rezultati i 2017-ës dhe nisej nga pozita jo të favorshme në raport me LDK-në.
Megjithatë, Albin Kurti hynte në ato zgjedhje si i vetmi udhëheqës partie i paprovuar në qeverisje, i papërfolur në histori korrupsioni, një idealist-nacionalist i frymëzuar nga figura të njohura të ekstremit të majtë.
Kurti kishte deklaruar vija të kuqe bashkëpunimi me tre Partitë e njohura të koalicionit PAN (PDK, AAK, Nisma) duke lënë të vetmen mundësi bashkëpunimi Lidhjen Demokratike të Kosovës si të keqen më të vogël.
Humbja apo fitorja e Albin Kurtit në ato zgjedhje nuk kishte pikën e rëndësisë brendapërbrenda LVV e cila ndjek modelin e vjetër të njësimit të Partisë me liderin. Pra, në krahasim me Vjosën, basti i Albinit ishte i fituar brenda Partisë sido të ishte rezultati i 6 Tetorit.
Nisur nga kufizimet e shpallura të Kurtit për koalicion, strategjia e tij duhej të ishte gjetja dhe konsolidimi i një partneri shumëvjeçar në LDK dhe fati i solli më të preferuarën e tij, Vjosa Osmanin. Nëse ai do të pranonte koalicionin parazgjedhor me Kryeministre të nominuar Vjosën, sot do të ishim në një situatë krejt tjetër. LDK-ja do të ishte në duart e Osmanit dhe Qeveria do të ishte duke u marrë me koronavirusin. Agim Veliu me gjasë do ishte në Podujevë, Lutfi Haziri në Gjilan dhe Isa Mustafa në pension.
Vjosa nuk kishte luksin të pranonte kurrsesi të kundërtën (nominimin e Kurtit si të nominuar të përbashkët). Në rast se do e bënte këtë, fitorja e mundshme e koalicionit do i dedikohej Kurtit dhe do ishim në këtë situatë që jemi sot.
Egoja kryeministrore e Kurtit bëri që pozita e Vjosës të ishte në fije të perit. Atë nuk do e shpëtonte as rekordi historik i votave, as dëshira e Albinit për ta bërë Presidente. Përkundrazi, çdo afërsi e deklaruar e tij për Vjosën ishte një burim sulmesh anadollake nga bajraktarët e LDK-së dhe elektorati më konservator i partisë. U arrit deri aty sa të ushqeheshin teori konspiracioni edhe kur ata takohshin rastësisht në Parlament.
Ditët e mira të Vjosa Osmanit mbaruan të nesërmen e numërimit të votave. Fitorja e Vetvendosje! ishte një kënaqësi e patreguar e Agim Veliut, Isa Mustafës dhe krahut konservator. Të zhytur në kolltuqet e shtëpive të tyre ata ndiqnin me kënaqësi numërimin e çdo vote që shkonte për Albin Kurtin si të ishte e tyrja. Fillimisht duhej të mundnin Vjosën për të mundur më pas Albinin….
Sapo rezultati u mor vesh, Veliu i Podujevës u turr në bisedimet për krijimin e koalicionit : “Lëshomani mue njëherë”. Rondokop dhe i qetë në dukje, 60 vjeçari me mustaqe do të bëhej i njohur sidomos për batutën “e hatashme”: “Çohuni burra se ska gjë këtu”, një batutë që vinte me siguri nga përvoja e tij në ambientet baritore të odave të burrave.
Vjosa dukej e pafuqishme. Shfaqej rrallë e në pozita dytësore. Sllogani i saj zgjedhor “Beso”i ishte kthyer në bumerang. Memet që qarkullonin transmetonin zhgënjimin e shpresave të votuesve. Çfarë duhej të bënte Vjosa?
Fatkeqësisht nuk kishte asgjë se çfarë të bënte. “Oda e burrave” të LDK-së vendosi “të sakrifikonte” qytetarët e Podujevës nga shërbimi i Agim Veliut për “t’ia dedikuar” Qeverisë këtë “aset të jashtëzakonshëm” me aftësi rralla duke prodhuar kështu edhe zgjedhje të parakohshme atje. Për Vjosën u zgjodh mënjanimi në detyrën e spikeres së Parlamentit. Detyrë që ajo e pranoi për hir të funksionimit të koalicionit.
Ishte çështje ditësh që Qeveria të binte. Humbja e Vjosës (u quajt humbje e saj dhe jo e LDK-së) konsolidoi pozitat e Mustafës dhe Veliut në Grupin Parlamentar të LDK-së, e, për rrjedhojë edhe dobësimin e ndikimit të saj në Parti.
Tashmë i humburi i madh nuk është Albini, është Vjosa.
Në rast të zgjedhjeve të reja, kurdoherë që ato të bëhen, Albin Kurti do të prijë Vetvendosjen. Mundet edhe të dalë fitues sërish. Por do jetë i destinuar të rrijë në Opozitë pasi askush nuk do dojë të bëjë koalicion me të. I preferuari i LDK-së do jetë në PAN. Me ata e gjejnë gjuhën.
Rënia e Qeverisë nuk është lajm i papritur. Çdo ditë e kaluar, qysh nga e para ka qenë një luftë e një gjysme ndaj gjysmës tjetër. Kurti bënte karshillëk a thua kishte 51 % të votave popullore. Nga ana tjetër, gatishmëria servile proamerikane e pothuaj të gjithë udhëheqësve LDK-istë, shkonte në drejtim të kundërt me qëndresën sovraniste dhe të kushtëzuar të Kurtit. Kështu që Qeveria do binte, ishte çështje ditësh.
Gjynah! Ishte koha për t’u ndërruar elitat politike. Ishin të gjitha mundësitë që Vjosa me Albinin të kombinonin forcat për të ndërtuar shtetin. Një shpresë e re u venit për ego politike momentale që nuk shërbeu për asgjë!
Vjosa Osmani tashmë është në pikën zero. Megjithatë ajo mbetet më stoikja, qëndrestare e pakompromis në luftën ndaj kontrollit të LDK-së nga Presidenti dhe ish Kryeministri Thaçi. Militantët e LDK-së që e gjykojnë për bashkëpunim me kundërshtarin më të egër të Rugovës (Albin Kurtin)e kanë krejt gabim. Rugova ishte fisnik, ai nuk shkelte vetëm mbi gjakun e bashkëpunëtorëve të tij siç bënë më vonë pasardhësit e tij. Dhe Albin Kurti nuk i ka lyer duart me gjakun e kundërshtarit.
E vetmja rugoviane në këtë kontekst është Vjosa. Edhe këtë herë ajo votoi kundër mocionit pasi e di që e nesërmja do të çojë Partinë e saj në prehrin e Hashim Thaçit. Dhe këtu ka një vijë të kuqe për të, të pakapërcyeshme. Po të bënte ndryshe nuk do ishte Vjosa.
Ajo nuk duhet kurrsesi të shkojë në Vetvendosje!. Do ishte ëndrra e të gjithë bajraktarëve “mashkuj” me mustaqe, do të ishte çlirimi i tyre. Duhet të luftojë aty për t’i dhënë shpresë të tjerëve, të rinjve, të shkolluarve, vajzave dhe djemve të rinj që besojnë te ajo.
Ristart Vjosë, është vetëm një betejë! Lufta vazhdon.
Publikuar më parë tek Gazeta Express.
Ky shkrim është botuar përpara rrëzimit të Qeverisë Kurti, mbrëmjen e 25 marsit.