A ka filluar euroskepticizmi në Shqipëri

Nga Kevin Jasini
A ka filluar euroskepticizmi në Shqipëri

Dështimi i djeshëm i dyshes së besuar të Bashkimit Europian, për të gjetur një zgjidhje për situatën politike në Shqipëri, nga shumë veta u pa si një mosdakordësi midis palëve shqiptare me njëra tjetrën, si kokëfortësi e mazhorancës dhe e opozitës për ti qëndurar kauzës së tyre politike deri në fund, por në një këndvështrim tjetër mund të shihet dhe si një nga veprimet e para që shënon lindjen e euroskepticizmit në Shqipëri.  A janë diplomatët europiane dhe i gjithë Bashkimi Europian në pozita të forta për t’i dhënë leksione demokracie Shqipërisë dhe për ta nxjerrë atë nga kriza politike?

Bashkimi  Europian sot është në një krizë shumë më herë më të madhe se Shqipëria, një krizë vlerash më shumë sesa politike.

Europa sot nuk është në pozitat e saj më të mira. Sot kemi një Bashkim Europian shumë të dobët i cili s’dihet se kur do të dalë nga kriza e madhe në të cilën është futur. Sot kemi një BE pa Britaninë e Madhe, me Marine Le Pen si kandidate për presidente e ekonomisë së dytë më të fuqishme të BE-së. Një Bashkim Europian ku rrymat nacionaliste e populiste po dominojnë në shtete të rëndësishme si Gjermania, Italia,  Holanda, Austria dhe Greqia.

Të dy eurodeputetët gjerman vinë nga parti që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Gjermani (CDU-SPD), vend i cili është gjithashtu në prag zgjedhjesh dhe që si shumë nga fuqitë europiane, problem kryesor ka rritjen e populizmit dhe rënien e besimit te Bashkimi Europian.  Duket se populistët euroskeptik të AfD po forcojnë cdo ditë e më shumë pozitat e tyre në Gjermani, njëlloj sic ndodhi në Francë me Frontin Demokratik.

Franca e nisi këtë jave me dy parti historike të mposhtura në sfidën për president. Kemi një kandidat të qendrës që nuk dihet tamam se çfarë platforme politike paraqet për Unionin, eksperienca politike e të cilit fillon para 3 vitesh  dhe nga ana tjetër kemi një radikale të djathë si Marine Le Pen, partia e së cilës është në pozita që vështirë se mund të mendoheshin disa kohë më parë dhe që Bashkimin Europian e sheh si armikun numër  1 të Francës.

Në Holandë dhe Austri u mposhtën me vështirësi kandidatët euroskeptik, por sërish forcat e tyre janë forcat e dyta politke për nga madhësia.

Italia, një nga themelueset e Unionit vazhdon të jetë e zhytur në pasiguri dhe probleme financiare me një Beppe Grillo që forcohet cdo ditë edhe më shumë.

Në Greqinë fqinje, e majta radikale drejton vendin prej gati 2 vitesh, ndërsa e djathta radikale është forcë e fuqishme në parlament dhe populli akuzon Bashkimin Europian për krizën e thellë në të cilën është futur.

Ballkani është zhytur në një krizë të thellë politike, krizë e cila po tregon dhe se sa probleme ka Bashkimi Europian dhe sa i paaftë është në menaxhimin e krizave apo parandalimin e tyre.

Serbia gjendet në udhëkryq mes lindjes e perëndimit dhe diplomacia e BE-së duket e pafuqishme para projekteve politike të Rusisë. Maqedonia është prej gati  5 muajsh pa qeveri , për shkak të interesave politike të njërës palë që e kanë zhytur vendin në një krizë të thellë institucionale . Mali i Zi ka një parlament të përgjysmuar pas zgjedhjeve të fundit. Kosova nuk po arrin të krijojë identitetin e saj si shtet dhe kjo edhe për shkak të faktorit shqiptar dhe në fund Shqipëria është kthyer në një situatë kaotike, ku tunelet e ushtrisë janë të mbushura me drogë dhe askush s’mund të gjejë një fajtor për këtë fakt, ku që prej më shumë se dy muajsh ndërkohë që kriza politike thellohet, Partia Socialiste kërkon këngën e duhur për fushatën, disa parti të vogla me emra qesharak përgatisin listat për deputet edhe mosmarrëveshjet kanë shumë gjasa të na cojnë drejt një parlamenti njëngjyrësh e një presidenti kukull të mazhorancës së sotme.

Në cilat pozita është Europa për të zgjidhur krizën politike te ne apo edhe në vendet e tjera të Ballkanit? A mund të kemi besim te një Bashkim Europian që duket se po dobësohet cdo ditë e më shumë, që vec dështime mund ti numërohen në vitet e fundit. A munden eurodeputetët gjermanë dhe trojka e ambasadorëve në Shqipëri të ngjallin besim të shqiptarët me diplomacinë e tyre kur nuk dihet se si do jetë Bashkimi Europian pas disa javësh dhe nëse do të ketë apo jo një Bashkim Europian pas disa vitesh?

Përpjekjet e Eurodeputetëve dhe trojkes së ambasadorëve kanë të njëjtën peshë që do mund të kishin dy, tre apo disa politikanë shqiptarë duke folur në parlamentin europian për një BE demokratike, të bashkuar e një zgjidhje që kënaq të gjithë palët.

A duhet të jenë shqiptarët euroskeptikë a jo? A ka ardhur momenti që partitë shqiptare të ndryshojnë programet e tyre politike përsa i përket qasjes ndaj Bashkimit Europian? A besojnë vërtetë shqiptarët te një BE e fuqishme që do mund të siguroj paqe dhe stabilitet në rajon dhe në vendin tonë? Përgjigjet janë të vështira për tu gjetur për aq kohë sa ngërci politik vazhdon e zgjidhja duket larg, por secili prej nesh duhet të rimendojë vërtet se sa e duam integrimin në BE, që më shumë se cdo gjë i ka shkaktuar dhimbje koke cdo shqiptari.

Në fund po e mbyll me një fragment nga Faik Konica, duke shpresuar që për herë të parë në 30 vite zgjidhja të vi nga vetë ne dhe të reflektojmë për të ardhmen dhe se ku po e dërgojmë këtë vend.

“Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>