A ka shpresë për Valbonën dhe parqet tona kombëtare?

Nga Abdulla Diku
A ka shpresë për Valbonën dhe parqet tona kombëtare?

Tashmë çështja e mbrojtjes së parqeve tona kombëtare, është kthyer në një çështje virtuale nëpërmjet reagimeve në rrjetet sociale, si edhe reale me protestat e mbajtura nga qytetarët që e duan Valbonën dhe parqet tona kombëtare pa HEC-e.

Këto vitet e fundit, më në fund, edhe shqiptarët po mësojnë ta duan natyrën e tyre. Në Theth dhe Valbonë shikon më shumë vizitorë vendas se sa të huaj. Dyndja e vizitorëve ishte aq e madhe sa vështirë të gjeje akomodim a tavolinë të uleshe për një vakt. Ky ishte një fillim i mirë. Shqiptarët, më në fund, morën guximin që të njohin dhe duan natyrën e tyre.

Kishte shumë shqiptarë, që ashtu si dhe vizitorët e huaj bënin vërejtje për mbeturinat. Gjithashtu, ato kërkonin të shihnin traditat e zonës dhe të provonin gatimet tradicionale. Ndër to edhe plot fëmijë, të cilët kishin lexuar mbase apo parë ndonjë foto të këtyre zonave vetëm në internet a ndonjë libër.

Po njihnin edhe ata më në fund vendet ku lindën legjendat e Eposit të Kreshnikëve dhe zanave të malit, po njihnin malet dhe bukuritë natyrore që kanë qenë e mbeten krenaria e shqiptarëve. Edhe ata ishin krenarë. Shihje plot foto në mediat sociale, ku fëmije e familje shijonin këto mrekulli të natyrës.

Por, nuk qe e thënë që kjo të vazhdojë shumë gjatë.

Në Valbonë, ndërtimi i rrugës gëzoi pa masë vendas e të huaj. Zona u zhvillua dhe krijoji një profil të mirfilltë turistik, ku me dhjetra bujtina, bare e restorante prisnin e përcillnin vizitorë….

Por ëndrra nuk vazhdoi gjatë, sepse më e pa imagjinueshmja kishte ndodhur; shteti për hir të disa kacidheve për veten e tij dhe të disa milionave për konçensionarët e babëzitur, kishte vendosur kapitullimin e Valbonës. Lumi miliona vjeçar, do futet në tuba. Lugina do zhgarravitet nga rrugët e kanalet prej betoni. Me qindra mijëra metra kub beton do derdhet nëpër luginën e Valbonës. As lumi e as lugina nuk do jenë më kurrë si më parë. Është e sigurt se edhe në Afrikën e varfër, disa principe e standarte nuk shkelen si këtu.

Në vijim, do të paraqes në mënyrë të përmbledhur disa fakte, të cilat besoj se nëse ekziston dëshira e mirë, gabimi trashanik i bërë me dashje nga qeveria, mund të korigjohet.

Duke parë një pjesë të dokumenteve të firmosur nga disa nënpunës të administratës shtetërore, për të mamjur disa oligarkë në kurriz të pasurisë kombëtare, vërehet lehtësisht se;

  • Në ligjin Nr. 8906, datë 06.06.2002 ‘Për zonat e mbrojtura’, në nenin 6 të tij, ndalohet ndër të tjera edhe ndërtimi i veprave të tilla si HEC-et. Ligji është i qartë dhe nuk ka vend për interpretime. Lidhur me këtë aspekt, është i nevojshëm një hetim i detajuar administrativ, për të parë se si dhe pse autoritetet përgjegjëse kanë lejuar shkeljen e ligjit. Kuptohet që për sojin e nënpunësve që kanë firmosur në shkelje të plotë të ligjit, më e pakta që duhet bërë është të zhduken përgjithmonë nga zyrat e shtetit.
  • Në disa dokumente të kosultimit publik rezulton se kanë firmosur persona të vdekur apo që nuk kanë qenë prezent në mbledhjet që konçensionarët pretendojnë se kanë bërë me ‘komunitetin’. Fallsifikimi i dokumentave zyrtare është i dënueshëm, edhe penalisht. Por deri më sot, shteti që ka frikë të ndëshkojë konçensionarët nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të denoncuar e zbardhur këto parregullsi. Këto fallsifikime i bëjnë lehtësisht të anullueshme kontratat konçensionare.
  • Proçesi i konsultimit publik nuk duhej kufizuar vetëm tek banorët e Valbonës– që në rastin konkret rezultojnë të jenë punëtorë të firmave zbatuese të punimeve të HEC-eve. Nuk janë vetëm banorët e një lagjeje të Valbonës të interesuar për këto zhvillime. Konsultimi publikë duhej të kryhej me operatorët turistikë nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova, të cilët dërgojnë vizitorë në Valbonë; me banorët e Tropojës edhe të gjithë Shqipërisë, sepse Valbona është një aset i rëndësishëm kombëtar. Por këto asnjë nga to nuk është pyetur e as informuar. Kjo është bërë me qëllim, sepse dihet se ato nuk janë njësoj me një grusht zyrtarësh të korruptuar që firmosën rrënimin e pasurive kombëtare të vendit.
  • Një tjetër shkelje është ajo me ‘rrjedhja ekologjike’. Teorikisht kjo prurje synon të mbajë minimumin e ujit në shtrat për habitatet ujore. Kjo prurje është përcaktuar si në çdo rast tjetër, 20 për qind. Pra 80 për qind e ujit do jetë në tuba dhe 20 për qind e tij në shtratin e lumit. Përse është lejuar që në një lum me regjim rrjedhje të karakterit alpin dhe në park kombëtar të jetë 20 për qind kjo rrjedhje? Sipas ligjit, rrjedhja ekologjike përcaktohet bazuar në planin e menaxhimit të bazenit të lumit. Rezultati i kësaj është që trofta e famshme e Valbonës bashkë me lumin më të bukur në botë, nuk do të jenë më.
  • Nëse ju referohesh dokumetave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), të thuash se janë paçavure është shumë pak. Si mundet që një konçensionar, i cili pretendon të investojë milona euro, të paraqitet me dokumenta të tillë? Po institucionet mjedisore, si mundet të miratojnë dokumenta të tillë? Kur ligjërojnë shkatërrimin në një Park Kombëtar që është teorikisht një territor me shkallën më të lartë të mbrojtjes që ekziston në vend, përse na duhen këto institucione?
  • Shqipëria është pjesë e konventave ndërkombëtare dhe ka detyrime për ruajtjen e specieve të florës e faunës dhe habitateve të ndryshme. Në Valbonë, ndryshe nga VNM-ja e konçensionarit, janë evidentuar së fundmi mbi 50 lloje me status të rrezikuar. Evidentimi i këtyre llojeve, të shfaqur si elemëntë të rinj mjedisorë, të cilat nuk janë përshkruar më parë në VNM përkatëse, e bën të detyrueshëm pezullimin e lejes mjedisore. Qeveria ka në dorë argumentin ligjor të ndërpresë lejen konçensionare, nëse ka vullnetin e mirë.
  • Valbona, Thethi, Shebeniku e shumë të tjerë janë destinacione të njohura dhe mjaft tërheqëse. Duhej, një studim dhe analizë e mirfilltë ekonomiko-sociale mbi ndikimin në ekonomi, të shkatërrimit të këtyre parqeve, punën milona vjeçare të natyrës dhe mijëra vjeçare të historisë dhe identitetit tonë kombëtar, në këmbim të disa HEC-eve ku përfitues janë vetëm konçensionarët. Ia vlen që të shkatërrojmë natyrën tonë për të pasuruar edhe më shumë këtë lloj konçensionarësh?. Qeveria ka gabuar rëndë, dhe qeveria duhet të korrigjojë vetveten.
  • Donatorë të ndryshmë janë prej vitesh prezent në Valbonë, Theth e shumë vende të tjera. Qeveria iu ka kërkuar që të investojnë për përmirësimin e jetës së banorëve në këto zona. Dhe ata e kanë dëgjuar qeverinë. Tani, që parat e tyre i merr lumi bashkë me lumenjtë e bukur, çfar do ju kërkojë qeveria donatorëve? Do kërkojë sërish pará për të ndërtuar lumenj? Ku është serioziteti i një shteti këtu?
  • Qeveria thotë se nuk i anulon koncensionet sepse koncensionarët fitojnë gjyqin. Po kush ka qenë ky edëpsëz nënpunës që ka hartuar kontratat përkatëse në mënyrë të tillë që qeveria të dalë detyrimisht e humbur nga një marrëveshje dypalëshe që teorikisht duhet të rezultnte përfituese për to?
  • Guximi i qeveritarëve që kanë lejuar shkatërrimin e parqeve tona kombëtare, ka tejkaluar çdo masë e logjikë njerzore. Si mund të shkatërrosh parqet natyrore që janë simboli dhe identiteti kombëtar i natyrës së një vendi? Si mund të sillesh me vendin tënd shumëfish më keq nga sa janë sjellë edhe vetë pushtuesit në gjithë historinë tonë?. Po ju, konçesionarë, që keni të afërm, toka e prona atje, a nuk ju vjen ndopak turp jo vetëm për lekët që zhvasni nga pasuria jonë e përbashkët, dhe për babëzinë tuaj për të shkatërruar simbolet kombëtare të natyrës tonë?. Kush pushtues është sjellë kështu si ju?

Është e nevojshme që të ngrihet një grup teknik me ekspertë të fushave përkatëse dhe jashtë ministrive, për të vlerësuar çdo leje konçensionare. Dhe për çdo rast të jepen propozimet për zgjidhjet përkatëse, dhe paralelisht duke mos harruar ndëshkimin e çdo personi përgjegjës në këtë drejtim.

Qeveria, nëse ka vërtet vullnetin e mirë për të ndaluar dorën shkatërrimtare mbi parqet tona të bukura, ka mundësi ta bëjë pa i hyrë gjemb në këmbë. Qeveria nëse dëshiron, e kap lepurin me qerre thotë populli, por nësë është vërtet vullnetmirë, e detyron lepurin që të hipë në qerre, pa e ndjekur fare atë.

Pra, nëse ka vullnet të mirë, është e sigurt, Valbona dhe parqet e tjera kanë shpëtim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>