Që prej 15 dhjetorit 2010, shqiptarët udhëtojnë pa vizë në të gjitha vendet e zonës Shengen—22 vende të BE-së dhe katër vende jo anëtare të BE (Zvicër, Islandë, Lihtenshtein dhe Norvegji). Kjo do të thotë se shtetasit shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qendrojnë në çdo vend Schengen për maksimumi 90 ditë, çdo gjashtë muaj.
Në përputhje me legjislacionin e BE-së, përjashtimi nga regjimi i vizave për Shqipërinë u bë duke ndryshuar rregulloren e Komisionit Evropian, duke e kaluar Shqipërinë nga lista e vendeve të treta që i nënshtrohen sistemit të vizave në listën e vendeve të përjashtuara nga sistemi i vizave.
Pak ditë më parë, nisur nga rritja e kriminalitetit nga shtetasit shqiptarë në Hollandë—kryesisht lidhur me trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave—policia dhe prokuroria holandeze i dërguan një memorandum Ministrinë së Drejtësisë dhe Sigurisë ku argumentuan se rivendosja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë mund t’i parandalonte këta kriminelë të “hidhnin rrënjë” në Hollandë.
Në përgjigje të këtij lajmi ish-presidentin Bujar Nishani paralajmëroi se rregullorja e BE-së e lejon Hollandën të nisë pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të një shteti jo-anëtar të BE-së.
Shumë figura të opozitës bënë, gjithashtu, deklarata të ashpra kundër qeverisë që po rrezikonte kthimin e vizave për shqiptarët.
Me anë të një statusi në Facebook, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u kundërpërgjigj duke i quajtur deklaratat “klithma dëshpërimi”:
“Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë!”
Megjithatë, pyetja që vlen të shtrohet është nëse argumentimi i policisë dhe prokurorisëholandeze përbën arsye të mjaftueshme, brenda kornizës ligjore të BE-së, që Holanda të pezullojë liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë?
Mekanizmi i pezullimit për marrëveshjet e liberalizimit të vizave, duke përfshirë atë me Shqipërinë, rregullohet përmes Rregullores së BE-së 1289/2013. Sipas kësaj rregulloreje, përjashtimi nga regjimi i vizave për një vend të tretë mund të pezullohet përkohësisht kur kemi të bëjmë me “një situatë emergjence”. Një situatë e tillë mund të ndodhë për shkak të rritjes së papritur të emigrantëve të parregullt, kërkesave për azil apo kërkesave të refuzuara për ripranim.
Sipas Rregullores 1289/2013, shtetet anëtare duhet të kërkojnë nga Komisioni Evropian që të pezullojë heqjen e vizave. Me fjalë të tjera, shtetet anëtare në mënyrë individuale nuk munden të rivendosin regjimin e vizave.
Është fakt se emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve është problem i madh në BE—shqiptarët regjistruan numrin më të lartë të kërkesave për azil në Hollandë në vitin 2016, e po ashtu, ishin grupi më i madh i emigrantëve të paligjshëm në gjithë vendet e BE-së.
Më 27 shkurt 2017, Komisioni Evropian rishikoi mekanizmin e pezullimit të marrëveshjeve për liberalizimin e vizave, duke përfshirë në rishikim dhe Shqipërinë. Ndryshimet e reja në rregulloret e KE-së, lejojnë pezullimin e marrëveshjeve të liberalizimit të vizave me votim nga shumica e thjeshtë e vendeve të BE-së ose me vendim të KE-së.
Nëse një shumicë e thjeshtë e vendeve të BE-së bënë një kërkesë të tillë, KE menjëherë duhet të rivendosë regjimin e vizave për 9 muaj, periudhë gjatë së cilës KE duhet të negociojë me vendin e prekur për të gjetur një zgjidhje. Nëse nuk gjendet një zgjidhje e tillë, pezullimi zgjatet me 18 muaj.
Ndryshimet në rregullore përfshijnë në arsyet për pezullim të marrëveshjeve të liberalizimit te vizave, edhe duke “uljen e bashkëpunimit për ripranim, rritjen e shkallës së refuzimit të aplikimeve për ripranim dhe rritje të riskut që mund t’i vijë politikave publike dhe sigurisë publike të shteteve anëtare të BE-së nga ky shtet.”
Për më tepër, ndryshimet parashikojnë një “mekanizëm monitorimi”, me “qëllim që të sigurohet se vendet e treta, që kanë një marrëveshje liberalizimi vizash, të vazhdojnë të përmbushin kriteret bazë.”
Çfarë nënkuptojnë këto ndryshime në lidhje me kërkesën e institucioneve holandeze?
Kjo do të thotë se teorikisht Hollanda mund të ketë një bazë legjitime—të mjaftueshme apo jo, është e debatueshme—për të kërkuar pezullimin e heqjes së vizave për shqiptarët.
Së pari, arsyeja e përmendur nga policia dhe prokuroria holandeze për heqjen e vizave për shqiptarët është rritja e kriminalitetit. Kjo do të përputhej me arsyet për pezullim që janë shtuar kohët e fundit, të cilat përfshijnë rrezikun për sigurinë e brendshme.
Së dyti, tashmë për disa vite, emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria në BE është një problem i madh, rrënjët e të cilit janë pak, për të mos thënë aspak të adresuara nga qeveria shqiptare. Kjo mund të jetë një arsye për vendet e tjera të BE-së që të mbështesin çdo propozim holandez për të rivendosur regjimin e vizave.
Nëse qeveria e re holandeze—koalicioni qeverisës është aktualisht duke u formuar—vendos të miratojë rekomandimin nga policia dhe prokuroria dhe fillon të lobojë tek vendet e tjera të BE-së për të mbledhur një shumicë të thjeshtë për të pezulluar liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Komisioni Evropian do të detyrohet ta miratojë këtë për 9 muaj dhe të fillojë negociatat me qeverinë shqiptare.
Aktualisht në Holandë, një pjesë e madhe e partive janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në vitin 2013, në një intervistë, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, që i përkiste krahut të majtë Frans Timmermans deklaroi se Holanda nuk do të “bëjë punët e pista të BE-së” dhe nuk do të jetë e para që do të dalë kundër dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë.
Vlen të theksohet se emigracioni dhe azilkërkuesit ishin një prej çështjeve më të nxehta të diskutuara gjatë fushatës elektorale të fundit në Holandë. Këto çështje janë ende të rëndësishme tashmë që po formohet koalicioni qeveritar.
Pezullimi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë do të varet dhe se nga cila parti do të marrë postin e Ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë dhe gatishmërinë e qeverisë holandeze për të bërë “punët e pista” për vendet e tjera të BE-së. Ndërkohë, Timmermans është bërë Nënkryetari i Parë i Komisionit Europian dhe së shpejti me një qeveri të re të krishterë, ai mund të zbatojë një politik, të cilën katër vjet më parë po hezitonte ta zbatonte.