A po teston sa duhet Shqipëria: ja çfarë sugjeron strategjia e OBSH-së

Nga Exit News
A po teston sa duhet Shqipëria: ja çfarë sugjeron strategjia e OBSH-së

Në vend po zhvillohet një debat i përditshëm në lidhje me numrin e testimeve që po kryhen dhe presion ndaj qeverisë për të rritur testimet deri në disa zëra që këshillojnë testimin masiv të popullsisë.

Qeveria nga ana e saj ka mbajtur qendrimin se ajo po zbaton protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke testuar vetëm personat me simptoma dhe kontaktet e të infektuarve.

Për të hedhur dritë mbi këtë debat, Exit News po ju sjell më poshtë protokollin e sugjeruar nga OBSH-ja në lidhje me testimet. I gjithë informacioni i mëposhtëm është besnik i dokumentit zyrtar të OBSH-së pa shtesa apo intepretime.

OBSH shprehet se çdo vend duhet të vlerësojë vetë rrezikun që i drejtohet dhe duhet të zbatojë me shpejtësi masat në shkallën e përshtatshme për të ulur transmetimin e COVID-19 dhe ndikimin ekonomik, publik dhe shoqëror.

OBSH parashikon një protokoll të veçantë masash për çdo nivel të caktuar të zhvillimit të epidemisë në vendin përkatës.

Niveli i tretë, i epidemisë është ai ku në një vend ka grupime të sëmurësh të krijuara përmes trasmetimit brenda vendit të sëmundjes por kur shumica e këtyre grupeve janë të gjurmuara në gjtihë zinxhirin e transmetimit.

Me fjalë të tjera, është gjendja kur përhapja është e kufizuar në xhepa të caktuar dhe kur për shumicën e rasteve të infektuara është identifikuara zinxhiri i transmetimit.

Ky është rasti i Shqipërisë ku shumica e të gjitha rasteve të infektuara janë identifikuar në gjithë zinxhirin e tyre të transmetimit.

Strategjia që sugjeron OBSH-ja për këtë rast është ajo e testim-gjurmim-trajtim: testimit të personave më simptoma, gjurmimit të kontakteve të personit të infektuar dhe izolimit dhe trajtimit të rasteve të infektuara.

Testimi

OSHB-ja sugjeron të testohet çdo person që plotëson kriterin për të qenë i dyshuar: çdo person që ka simptoma të Covid-19, çdo kontak i një personi të infektuar, çdo person që vjen nga një zonë e prekur nga koronavirusi.

Në rast se ka shumë raste dhe pak kapacitete laboratorike, mund të vendoset prioritet për testimin. Prioriteti i parë është testimi i të gjithë personave me simptoma, ndërsa të tjerët që nuk kanë simptoma mund të karantinohen për 14 ditë.

Të gjitha rastet e diagnostikuara me COVID duhet të izolohen menjëherë, dhe ata që kanë nevojë për trajtim spitalor duhet të trajtohen në spital.

Rekomandohet fuqishëm të testohen të gjitha rastet e dyshuara të shtruara në spital, të gjithë mjekët dhe personeli mjekësor me simptoma, të cilët kanë qënë ose jo në kontakt me një person të infektuar.

Duhet testuar më shumë në ato vende ku është rritur numri i rasteve të dyshuara, duke testuar të gjithë rastet fillestare dhe të gjithë personat e lidhur me to.

Prioritizimi i testimit nuk përjashton edhe ndërhyrjet e tjera për të ndaluar përhapjen.

Riorganizimi i koordinuar i shërbimeve shëndetësore dhe sociale është thelbësore për të vlerësuar dhe testuar me shpejtësi personat, për të trajtuar pacientët në mënyrë efektive dhe për të mbrojtur spitalet dhe personelin shëndetësor.

Strategjia e testimit kur rasti identifikohet në spital.

 

Strategjia e testimit kur rasti identifikohet në shoqëri.

Gjurmimi

Gjurmimi është identifikimi sistematik i të gjitha lidhjeve sociale, familjare, të punës, mjekësore dhe çdo kontakti tjetër me një person të infektuar në periudhën 2 ditë pas shfaqjes së simptomave deri në 14 ditë pas shfaqjes së simptomave.

Për këtë qëllim, krijohet një listë e linjave të kontakteve, përfshirë informacionin demografik, data e parë dhe të fundit të kontaktit me njerëz dhe data e parë të shfaqjes së temperaturës dhe të problemeve me frymëmarrjen, si dhe llojin e kontaktit.

Një masë e cila ndihmon në lehtësimin e gjurmimit të kontakteve të personave të infektuar është distancimi social.

Me heqjen e masave të distancimit social, është thelbësore që të vazhdohet të forcohet gjetja e rasteve, izolimi i të infektuarve dhe karantinimi i kontakteve, në mënyrë që të izolohen rastet e reja ose të importuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>