A qëndrojnë pretendimet e Albin Kurtit për vazhdimin e qeverisjes së tij?

Nga Ajshe Isha
A qëndrojnë pretendimet e Albin Kurtit për vazhdimin e qeverisjes së tij?

Pas rënies së qeverisë, në Kosovë po zhvillohet një përplasje midis Kryeministrit Albin Kurti e Vetëvendosjes nga njëra anë dhe Presidentit Hashim Thaçi e të gjitha partive të tjera, nga ana tjetër.

Fillimisht përplasja ndodhi për gjendjen e jashtëzakonshme. Presidenti Thaçi kërkoi shpalljen e saj në mes të marsit. Kurti e kundërshtoi këtë gjë duke pretenduar se ajo ishte e panevojshme dhe Thaçi e kërkonte vetëm për t’i dhënë vetes kompetenca të jashtëzakonshme.

Por Kurti e kufizoi më pas lëvizjen e njerëzve për të ndalur përhapjen e virusit. Thaçi e çoi në Gjykatë Kushtetuese këtë vendim, duke pretenduar se kufizimi mund të bëhet vetëm në gjendje të jashtëzakonshme. Kushtetuesja i dha të drejtë Thaçit.

Paralelisht me këtë përplasje ndodhi mocioni i mosbesimit dhe rrëzimi i qeverisë, pa dyshim mbështetur apo miratuar në heshtje nga Thaçi.

Pas rrëzimit të qeverisë, Kurti zgjodhi linjën se qeveria e tij duhet lënë të përballojë krizën e koronavirusit dhe menjëherë pas kalimit të saj të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

Thaçi dhe drejtuesit e të gjitha partive të tjera kërkuan të krijohet një qeveri e re duke ruajtur parlamentin ekzistues, pasi nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje në kushtet e koronavirusit.

Koronavirus po përdoret si alibi nga të gjitha palët—thelbi është tek pushteti.

Në këto kushte, ajo që merr rëndësi është nëse pretendimet e palëve janë të ligjshme.

Kushtetuta parashikon (Neni 82.2)  se “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.”

Fjala kyç është mund.

Kurti pretendon se fryma e Kushtetutës kërkon që Thaçi duhet ta shpërndajë patjetër Kuvendin, kurse Thaçi pretendon se Kushtetuta ia lë atij zgjedhjen ta shpërndajë ose jo Kuvendin.

Në thelb, Kurti:

— Kundërshtoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme;

— E përdori frymën kushtetuese si argument se nuk duhej bërë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së tij duke i dhënë përparësi luftës ndaj koronavirusit;

— Kërkon të qëndrojë deri në kalimin e krizës dhe pastaj zgjedhje të parakohshme siç është fryma e Kushtetutës.

Ndërsa Thaçi me LDK-në dhe partitë e tjera:

— Nisën mocionin dhe mbështetën rrëzimin e qeverisë, në mes të krizës së koronavirusit.

— Kërkojnë të mos ketë zgjedhje por të krijohet qeveri pa Vetëvendosjen, sipas gërmës së Kushtetutës dhe qeveria nuk duhet vonuar për të përballuar krizën e koronavirusit në të mirë të mirë të popullit.

Duket sikur të gjithëve ju intereson mbrojtja e popullit nga koronavirusi dhe Kushtetuta. Interpretimi i interesit dhe Kushtetutës është i ndryshëm.

Të gjithë bien dakord që Kushtetuta ia jep presidentit mundësinë për shpërndarjen e Kuvendit në rast se qeveria rrëzohet me mocion mosbesimi. Mirëpo, a mund ta bëjë këtë gjë Presidenti në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme?

Në fakt, Kushtetuta shprehet se në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme mund të shtyhet mandati i Kuvendit edhe pas mbarimit të tij deri në kalimin e gjendjes. Pra, në rastin e  gjendjes së jashtëzakonshme duket se fryma e Kushtetutës është që të ruajë Kuvendin dhe shmangë zgjedhjet.

Në kushtet kur mandati i Kuvendit nuk ka mbaruar ende, duket akoma më e arsyeshme që të mos zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

Thaçi ka zgjedhur këtë rrugë. Pasi priti që Vetëvendosja të jepte një emër për kryeministër, edhe pse Kushtetuta nuk cakton ndonjë afat detyrues për paraqitjen e emrit, Thaçi pas pak ditësh pa përgjigje vendosi t’ja kalojë të drejtën LDK-së.

A e ka këtë të drejtë Presidenti të mos presë? Kjo është çështja ku nuk ka asnjë qartësi.

Vetëvendosja ka kërkuar intepretimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe duhet pritur vendimi i saj për të vulosur si do të dilet nga kriza politike.

Deri atëherë duhet uruar që lufta ndaj koronavirusit të jetë më e suksesshme se lufta politike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>