Rritja e numrit të testimeve nga shteti, kryerja e ekzaminimeve diagnostifikuese falas ose adaptimi i laboratorëve të check-upit dhe të spitaleve për këto testime, mund të ndihmonte shumë në lehtësimin e kostove të papërballueshme të trajtimit të Covid-19 nga qytetarët.
Sikurse u tha në emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews Albania, kostoja e diagnostifikimit e kalon disa herë koston e trajtimit.
Nëse një recetë Covid për trajtim 10 ditor varion nga 100 euro deri në 190 euro në varësi të markës së ilaçeve, diagnostifikimi kushton nga 300 euro deri në 600 euro, për person.
Në pjesën më të madhe të rasteve, këto analiza bëhen tek spitalet e klinikat private. Ndërsa në shtet mund të përfitojnë analiza falas vetëm personat që referohen nga urgjenca, 127, ose janë të sëmurë rëndë dhe kanë nevojë për tu shtruar në spital.
Gjithashtu, duke parë se kosto e trajtimit është sa 77% e pagës minimale, dhe disa herë më shumë se sa një pension, qeveria duhet të mbështesë të paktën njerezit me të ardhura të ulta dhe pensionistët për të përballuar koston e trajtimit nga Covid.