Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi shprehet se vendimi i sotëm për të shkarkuar atë nga kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë nuk është i vlefshëm pasi është marrë nga persona që nuk janë pjesë të shoqatës.
Në një reagim në Facebook, Ademi pretendon se Bashkia Lezhë nuk është më pjesë e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë pasi i është bashkuar Shoqatës për Autonominë Vendore. Kjo e fundit sipas Ademit është një shoqatë e krijuar nga kryeministri Rama në 2010, anëtarë të së cilës janë 60 bashkitë e drejtuara nga PS pas zgjedhjeve lokale të 2019.
“Nga pikëpamja ligjore, vendimi i sotëm është nul, nuk ekziston për asnjë institucion serioz”, shkruan Ademi.
Sipas faqes së internetit të Shoqatës për Autonominë Vendore, anëtarë të saj janë të gjitha bashkitë e vendit me përjashtim të Shkodrës dhe kryetar është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Ndërsa në faqen e internetit të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë thuhet se anëtarë të saj janë të gjitha bashkitë e Shqipërisë dhe kryetare është Voltana Ademi.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu njoftoi sot se Asambleja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ka vendosur të shkarkojë nga posti i kryetares Voltana Ademin dhe ta zëvendësojë me Pjerin Ndreun.
Më herët, Ademi kishte denoncuar tek diplomatët e huaj faktin se mbledhja e Asamblesë po kryehej në mënyrë të paligjshme nga persona jo-anëtarë të saj me qëllim kapjen e shoqatës nga PS.
Shoqata e Bashkive paditi ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore 30 qershorit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo padi pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese në qershor. Voltana Ademi pretendon se lëvizja për ta zëvendësuar atë ka për qëllim tërheqjen e padisë në Kushtetuese.