SHBA do të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të ndërmejtësuar nga Bashkimi Europian.
Në një prononcim për REL, administrata e Biden tha për dialogun Kosovë-Serbi, se është me rëndësi një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
‘’Zgjidhja do të çojë në njohje të ndërsjellë, do të ruajë sovranitetin do të fuqizojë institucionet demokratike’’, tha adminsitrata.
Të mërkurën kryeminsitri në detyrë Avdullah Hoti i dërgoi një letër Blinken, ku shprehu gatishmërinë për të punuar sëbashku gjatë procesit të dialogut me Serbinë.
Në mars 2021 bëhet 10 vjet që prej nisjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Prishtinës synon të marrë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Dialogu u ndërpre në fund të vitit 2018, pas vendosjen e taksës 100 përqind nga qeveria e Haradinajt mbi mallrat nga Serbia.
Më vonë, qeveria Kurti vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, por këto të fundit u hoqën nga Qeveria Hoti, për të mundësuar vazhdimin e dialogut.
Administrata Trump vendosi të ndërmjetësonte dialogun pa u koordinuar me Brukselin.
Ish-presidenti Trump emëroi Richard Grenell si të dërguar të posaçëm për këtë proces, i cili u finalizua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, ku presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri kosovar Hoti nënshkuan një dokument bashkëpunimi për normalizimin e raporteve ekonomike.