Dje, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj deklaroi, për të disatën herë gjatë vitit të fundit, se qeveria ka arritur një marrëveshje me shoqërinë konçesionare të Aeroportit të Rinasit për të hequr eksluzivitetin që ajo ka për të gjitha fluturimet ndërkombëtare në territorin e vendit.
Ky ekskluzivitet ka bërë të pamundur ndërtimin e aeroporteve të tjera ndërkombëtare në vend, përfshi përdorimin e aeroportit tashmë të ndërtuar të Kukësit. Mbi të gjitha, ai ka penguar konsiderimin e ndërtimit të një aeroporti në jug të vendit që do t’i shërbente turizmit.
Monopoli i Rinasit për fluturimet ndërkombëtare është konsideruar gjerësisht një nga arsyet për çmimet e larta të fluturimeve ndërkombëtare nga Shqipëria.
Ministri Ahmetaj kish deklaruar, edhe herë të tjera, se ishte arritur marrëveshja, por dje ai ka dhënë një detaj që e bën të besueshme deklaratën e tij të fundit: ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare është hequr për hapësirën jashtë rrezes 100 km nga Rinasi. Përtej kësaj distance, qeveria është, tashmë, e lirë të ndërtojë vetë apo me partneritet aeroporte ndërkombëtare.
Por, duke parë hartën e Shqipërisë kupton se zona me rreze 100 km nga Rinasi përfshin pothuajse gjithë territorin e vendit. Kështu, i gjithë veriu i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë monopol i Rinasit, pra, do të vazhdojë të jetë i përjashtuar nga fluturimet ndërkombëtare edhe aeroporti ekzistues i Kukësit. Monopol i Rinasit do të mbetet edhe Shqipëria e mesme dhe juglindore, si dhe e gjithë zona bregdetare nga veriu deri përtej Vlorës.
Vlora është në distancë 108 km nga Rinasi, që do të thotë se marrëveshja përjashton përdorimin e pistës ekzistuese të Pishë-Poros në ultësirën e Vlorës.
Me marrëveshjen e arritur, një aeroport i ri mund të ndërtohet vetëm në jug të Llogarasë. Duke marrë parasysh terrenin, praktikisht, mbetet vetëm një mundësi për ndonjë aeroport të ri ndërkombëtar: zona e Delvinës.
Kjo do të thotë që as turistat e Vlorës (Delvina është 138 kilometra larg Vlorës, ndërsa Rinasi 145 km) dhe as udhëtarët shqiptarë në pothuajse të gjithë Shqipërinë nuk do të përfitojnë realisht nga kjo marrëveshje.
Kaq për arritjen “e madhe” që propagandoi Ministri Ahmetaj.
Nga ana tjetër, Zoti Ahmetaj nuk ka dhënë asnjë informacion për përmbajtjen e gjysmës së dytë të marrëveshjes: çfarë i ka dhënë qeveria shqiptare shoqërisë që adminsitron Rinasin në këmbim të këtij lëshimi minimal?
Cili është çmimi që do të paguajnë shqiptarët për t’i dhënë mundësi Kryeministrit Rama dhe Ministrin Ahmetaj të mburren në publik?