Kompania e Aeroportit të Rinasit ka ulur tarifën e pasagjerit me 2.5 euro dhe paralajmëron liberalizimin e tregut të karburantit të avionëve.
Në një njoftim per shtyp, Tirana International Airport (TIA) thotë se ka ulur tarifën e pasagjerit nga 12.5 në 10 euro dhe synon që kjo të ulë çmimin e biletave dhe të shtojë numrin e fluturimeve.
Ky vendim, sipas kompanisë, është pjesë e investimeve me vlerë 100 milionë dollarë që ata deklarojnë se do të kryejnë në aeroport.
Rreth një muaj më parë, kompania Kastrati u bë koncesionari i ri i TIA-s.
Kompania deklaron gjithashtu se do të liberalizojë Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe tregun e karburantit të avionëve.
Aktualisht, vetëm kompania Air BP furnizon avionët me karburant në Shqipëri.
Këto ndryshime, sipas TIA-s, do të tërheqin kompani të fluturimeve me çmime të ulëta.