Brenda javës në Shqipëri pritet të mbërrijnë afganët e parë, të cilët kanë bashkëpunuar me administratën e SHBA në Afganistan dhe tashmë rrezikohen nga talebanët.
Ata do të strehohen në Durrës dhe Tiranë raporton, Report TV.
Në Durrës, afganët pritet të vendosen në disa hotele ndërsa në Tiranë në dy godina në qytetin studenti ku studentëve iu është kërkuar të largohen për të paktën tre javë.
Kryeministri Rama njoftoi të dielën se kishte pranuar strehimin e disa qindra afganëve në Shqipëri.
Rreth 250 pritet të mbërrijnë në Shqipëri brenda javës. Ata janë përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan bashkë me familjet e tyre.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu do të strehojnë afganë që largohen nga regjimi i talebanëve.
Pse kërkohet mbajtja e përkohshme e afganëve në këto vende?
Qeveria amerikane ka miratuar një program të vecantë të dhënies së vizave të përhershme të qendrimit për afganët dhe irakienët që kanë punuar për dhe me qeverinë amerikane.
Për të aplikuar për këtë program personat duhet të aplikojnë në ambasadën amerikane në Afganistan, por për shkak të situatës me talibanët ata nuk mund të presin për miratimin e vizës në Afganistan.
Këta duhet të aplikojnë në një ambasadë amerikane jashtë SHBA-ve. Ndaj qeveria amerikane i kërkon disa vendeve të treta të mbajnë përkohësisht afganët, të cilët do të aplikojnë në ambasadat e SHBA-ve në këto vende dhe do të qendrojnë deri në pritje të miratimit.
Procesi i miratimit të vizës mund të kërkojë deri një vit.
Të gjitha kostot e mbajtjes së afganëve do të mbulohen nga qeveria amerikane.