Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha të premten se një kombinim ilaçesh i zhvilluar nga kompania farmaceutike Regeneron mund të përdoret për të trajtuar pacientët me COVID-19 që ka rrezik t’i rëndohet sëmundja dhe që nuk kanë nevojë për oksigjen.
Rekomandimi tani mund të përdoret si udhëzim në shtetet evropiane mbi përdorimin e mundshëm të kombinimit të ‘casirivimab’ dhe ‘imdevimab’, tha EMA, raporon Reuters.
Kokteji i antitrupave të Regeneron u autorizua për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara në nëntor dhe iu dha ish-Presidentit të SHBA Donald Trump kur ishte i infektuar me COVID-19.
Trajtimi, i cili jepet përmes pikave, është pjesë e një klase të barnave të njohura si antitrupa monoklonalë, të cilët krijohen si kopje e antitrupave të krijuar nga trupi i njeriut për të luftuar infeksionet.
“Për sa i përket sigurisë, shumica e efekteve anësore të raportuara ishin të lehta ose të moderuara, megjithatë reaksione alergjike janë vënë re dhe duhet të monitorohen,” tha EMA.
Rregullatori tha se shqyrtimi i formulës së Reneron do të vijojë dhe do të formojë bazën për ta rekomanduar atë për një aprovim të kushtëzuar në tregun e BE.
EMA është duke rishikuar gjithashtu trajtimet me antitrupa nga Eli Lilly dhe Celltrion.
Regeneron tha të enjten se një panel i pavarur zbuloi se trajtimi kishte “efikasitet të qartë klinik” në uljen e niveleve të shtrimit në spital dhe vdekjeve në pacientë.